
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha se Armenia nuk përmbush përgjegjësitë e saj duke mos lejuar formimin e një korridori me Nakhchivan-in.
Aliyev priti në një takim ministren për Evropën dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna, e cila ndodhet në kryeqytetin Baku për të zhvilluar takime.
Sipas një deklarate nga Presidenca e Azerbajxhanit, Aliyev në takim foli për marrëdhëniet e tyre me Armeninë dhe ka rikujtuar se menjëherë pas Luftës së 2-të të Karabakut i propozuan Armenisë një marrëveshje paqeje duke njohur integritetin territorial dhe sovranitetin e njëri-tjetrit në mënyrë reciproke dhe se i paraqitën zyrtarisht Jerevanit 5 parime bazë për këtë.
“Armenia nuk përmbush përgjegjësitë e saj. Armenia nuk lejon formimin e një korridori me Nakhchivan-in dhe nuk ka tërhequr ushtarët e saj nga territori i Azerbajxhanit, ku janë vendosur përkohësisht paqeruajtësit rusë”, deklaroi presidenti Aliyev.
Ai shtoi se armenët përdorin korridorin Laçin për të transportuar armë dhe produkte të tjera ushtarake në Karabak, duke shtuar: “Ngritja e një pike të kontrollit kufitar në fillim të rrugës Laçin-Khankendi është një shprehje e garantimit të së drejtës së sovranitetit të vendit tonë dhe të integritetit tonë territorial.”
Ministrja franceze Colonna i përcolli presidentit Aliyev përshëndetjet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Më tej Colonna, tha se Franca dëshiron paqe, zhvillim ekonomik dhe social në Azerbajxhan dhe përgjithësisht në rajonin e Kaukazit Jugor.