
Kina tha sot se avionët e saj ndoqën një avion zbulues amerikan mbi Ngushticën e Tajvanit.
Zëdhënësi i Komandës Lindore të Armatës Çlirimtare Popullore (PLA), koloneli Shi Yi, deklaroi se: “Një avion amerikane patrullues kundër nëndetëseve P-8A fluturoi mbi Ngushticën e Tajvanit”.
“Avionët luftarakë të AÇP-së ndoqën dhe monitoruan avionin amerikan gjatë gjithë procesit duke u mbrojtur me gatishmëri të lartë kundër tyre”, tha Yi në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes e Kinës.
“Trupat e Komandës mbeten në gatishmëri të lartë për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe paqen dhe stabilitetin rajonal”, tha ai.
Zyrtari ushtarak kinez rikujtoi se luftanijet dhe avionët amerikanë “kanë kryer shpeshherë veprime provokuese, duke dëshmuar plotësisht se SHBA-ja është rrënues i paqes dhe stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit dhe shkaktues i rreziqeve të sigurisë në Ngushticën e Tajvanit”.
Në një deklaratë të veçantë, flota e 7-të e ushtrisë amerikane, e vendosur në Azi-Paqësor, tha se avioni P-8A Poseidon i Marinës Amerikane kaloi sot tranzit në Ngushticën e Tajvanit “në hapësirën ajrore ndërkombëtare”.
“Duke operuar brenda Ngushticës së Tajvanit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, SHBA-ja mbron të drejtat dhe liritë e lundrimit të të gjitha kombeve”, thuhet në deklaratën e Flotës së 7-të.
“Kalimi tranzit i avionit në Ngushticën e Tajvanit tregon përkushtimin e SHBA-së për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur. SHBA-ja do të vazhdojë me fluturimet, lundrimet dhe operimet kudo që ia mundëson e drejta ndërkombëtare, përfshirë edhe brenda Ngushticës së Tajvanit”, thuhet në deklaratë.