Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami kërkoi nga rivali i tij që listat e votuesve të bëhen publike për të gjithë në mënyrë që zgjedhjet e 22 korrikut të jenë transparente, raporton Gazeta “Shekulli”. Kërkesën për hapje të listave të votuesve Selami i ka bërë gjatë turit elektoral me demokratët e Elbasanit, Librazhdit, Belshit, Përrenjasit dhe Gramshit, ku duke i kujtuar po ashtu Bashës se PD nuk është parti ilegale.
“Hajde ta bëjmë sa më të mirë garën, që listat tona duhet të jenë transparente. Listat e votuesve të PD duhet të bëhen publike. Nuk janë bërë. Ne duhet t’i lëmë qytetarët, votuesit tanë dhe ata që nuk janë anëtarë partie ta shikojnë se çfarë po ndodh këtu. Nuk jemi ne parti ilegale.
Demokratët janë krenarë që janë pjesë e PD”, u shpreh Selami, i cili gjithashtu i kërkoi kandidatit tjetër për kryetar, Lulzim Bashës, që të pranonte debatin e hapur për mediat dhe qytetarët ashtu siç kishte premtuar në fillim të garës.