Fillimi Poezi/LetërsiDoli nga shtypi projekti i Tyran Prizren Spahiu ALEPPO

Doli nga shtypi projekti i Tyran Prizren Spahiu ALEPPO

nga Shekulli Agency

Namik SELMANI Një thirrje poetike për të gdhendur dhimbjen. Në vend të një udhëtimi me librin ALEPO kaq të veçantë në tërë karvanin e jetës letrare në botë… Libri “Alepo” është një antologji letrare. Antologjitë letrare në botë i ngjan një çast, vetëm një çast, një buqetë të madhe shumëaromëshe. Një buqetë vargërore apo edhe eseistike. Një buqetë që nga dora në dorë kalon pragje, kufinj, shtete, dete, male, oqeane dhe ka më tej një fat të çuditshëm, të mistershëm, të jashtëzakonshëm, atë të LIBRIT. Janë 66 poetë dhe 74 poezi që e formojnë këtë kurorë. Po, këto poezi-buqeta nuk janë askurrë si buqetat e luleve. Me ato buqeta që me shikim të menduar apo dhe të trishtuar mbushen me mollëzat e buta të nënave tona, të motrave për t’u dhënë një çast me nje ceremoni në një ditëlindje , në një stadium, në një dekorim, ku bien kryesisht në sy buzëqeshjet njerëzore dhe urimet shumëgjuhëshe. Janë 66 poetë dhe 74 poezi që e formojnë këtë kurorë. Vihen me kujdesin më të madh kur ato zbulohen në sytë kureshtarë të atyre që janë aty. Dhe kjo ndodh vetëm në disa minuta . Ndoshta në disa orë, dhe pastaj një ditë apo pas disa ditësh të mbarimit të ceremonisë, dikush e merr dhe e hedh diku. Jo. Jo. Joooooooo. Alepoja na fton sot me vargje gjaku nderimi, dhimbjeje në një tryezë, në një sofër ose odë, si do ta thoja shqiptarçe, për atë që po ndodh. E nuk ka nevojë të dëgjoj këmbanat, të dëgjoj thirrjet, për këtë dhimbje . Ma thonë sot shumë qartë tërë vargjet e poetëve. Mund të ishin dhe të një kombi tjetër. Po janë të kombit tim. janë ata që kanë të njëjtën gjak me atë Nënë Terezë që e ka marrë Kurorën e Paqes dhe të dashurisë në të gjithë botën. Dhe këtë e bën Ambasadori i Paqes Tyran Prizren Spahiu. Kush mund ta bënte më mirë se ai shtatlistë që e do paqen që e do bukurinë shpirtit njerëzor që e do lumturinë e çdo brezi me gjuhë të ndryshme? Është një dhimbje piskuese, klithmuese, dridhëse. Në folklorin shqiptar, me të cilën janë mbrojtur emocionalisht, shpirtërisht dhe moralisht poetët e kësaj antologjie është një kryezë klithës. Është Ajkuna që pas shumë malesh shkon të vajtojë Omerin e saj. Dhe varri e lëviz dheun para klithmës së saj tronditëse diku në një bjeshkë. Sot për Alepon bashkohen mijëra dhimbje, piskama, klithje, shtrëngohen grushte, derdhen lotë, shkruhet flitet. Është një vend në hartën e botës, në turpin e botës thuaj. E nuk është vetëm një Omer në Alepo. Bashkë me të është dhe Ajkuna. Mund ta njihja një ditë tjetër Alepon dhe në një mënyrë tjetër. Mund të ecja në rrugët e saj për të parë bukuritë në një muze natyror. Me rrugët e teatrot e saj. Me atë madhështi që ka krijuar njeriu, pavarësisht se cilës fe i përket. Mund të hidhja një valle në një shesh të saj. Të recitoja një poezi për harmoninë e kombeve. Mund të pija ujë diku ose një çaj. Mund të ecja mes aromave të luleve e të dëgjoja në rrugët e gjëra e të ngushta zërat e fëmijëve që nxitojnë drejt zileve të shkollave që kanë një Kod universal në të gjithë botën. Mund të takoja diku në një sallë poetët e Alepos se kudo ku ka njerëz, asnjëherë nuk humb fara e poetëve . M’u kujtua sot një pyetje kaq e bukur e një vizitori që kishte ardhur për një vizitë në Berat, pasuri e UNESCO-s -Sa poetë ka ky qytet ,-i kishte thënë shoqëruesit, teksa shihte magjitë e ndërtimit, rrugët, malet, Osumin. Një pyetje të tillë e bëjnë sa e sa herë vizitorët kur vizitojnë Prizrenin me fjongo Lumëbardhi ku jeton poeti Tyran Prizren Spahiu që është kumbar i këtij libri. Këtë pyetje do ta bëja dhe unë për këtë qytet… Dhe sot bashkë me poetët e Alepos janë bashkuar dhe ata shqiptarë. dhe jam me ta, dhe mbyll sytë me ta, dhe hesht një çast me ta, dhe hesht para vargut me ta. Oh. Jo, jo, nuk doja të isha pjesë e dhimbjes. Mund të isha diku duke i dhënë pak ujë atij që po jep frymën e fundit nga predhat ajrore. Mund të vija një lule në atë vend ku me dhjetëra njerëz mbeten pa varr. Mund të mbaja një fëmijë që porsa ka dalë nga gërmadhat, gjysëm i vdekur, i lebetitur pa zë, pa lotë me sy të çapëlyer që s’di kë kërkon më parë Babain? Nënën? Motrën? Vëllain? Ujë për buzën e etur? Një lodër që e ka lënë në gërmadha. Mund të ndihmoja në rrugën e hapur drejt lirisë ( liri i thënçin!) drejt një rruge pa kthim një plaku që nuk do ia dija gjuhën e komunikimit, po do ia njihja gjuhën e dhimbjes. Mund të isha i pari që nesër kur Alepoja të jetë e lirë të mbillja një ulli Çamërie, Berati, Vlore, të blertë të vendlindjes sime, dhe do ta përkëdhelja atë dru shekullor në atë tokë të zhuritur. Oh. Oh. Sot jam në radhën e poetëve të kombit tim që e ka dashur dhe e do paqen dhe e ka marrë atë mes luftës me gjak dëshmorësh Sot Alepua është kryedhimbja. E ku ka dhimbje ka dhe poetë pavarësisht se cilin flamur vënë në Ditën e festës së kombit të tyre në ballkonë, në dritare, në pragje . Të ketë poezi që të zbuten pak plagët e shpirtit të Alepos. Të nxisë tavolinat e diplomatëve të botës që të jenë më humanë për të në fund të fundit të gjithë nënshkruajnë me zemër e me varg KUJTESËN, jo si kronikanët e kohërave por si flakadanët e shpirtërave më të ndjeshëm të botës. Alepo. Alepoooooooo….. Tiranë, Prizren 9 janar 2017

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies