Dje në Kumanovë u lëshua në përdorim një urë që ia lehtëson dukshëm jetën një lagjeje shqiptare atje. Dhe, e veçanta e kësaj ure ishte se, për herë të parë në historinë e ndërtimeve të objekteve publike, këtë urë e mundësoi një subjekt i ri politik opozitar – Lëvizja BESA.
Dhe, në vend që të gjithë të gëzohen që u bë ura, pati edhe reagime në stilin “Më mirë pa urë, por të mos e bënte BESA”. Madje, partia shqiptare në pushtet e pa pushtet, pra BDI-ja, nga inati pse shqiptarët e kësaj lagje të kenë urë kur ata (të BDI-së) nuk kanë mundur të bëjnë “Urra!” dhe asgjë nuk kanë mundur të vjedhin nga ndërtimi i saj, ndërsa ndërtues i saj të jetë BESA, pa fije turpi doli të kërkojë llogari se prej nga i mblodhi BESA paratë që ta bëjë urën. Të kërkojë llogari dikush që nuk ka dhënë llogari kurrë, madje as kur në SHBA ia tregojnë llogaritë e ryshfetit e ajo del e i shan shqiptarët se ia kanë inati, është pak a shumë sikur lavirja të kërkojë llogari për moral. Hipokrizi më të madhe se kjo nuk ka. Nejse, asaj partie – që edhe gjeneralin e UÇK-së e shpall udbash – tashmë i ka hije gjithçka dhe nuk ia zëmë për të madhe. Prandaj, nuk po merremi më shumë me të.
Ajo që dua ta vë në spikamë është diçka krejt tjetër. Janë ca gjëra në jetë fare të lira (ura ka kushtuar jo më shumë se 8-9 mijë euro, të cilat aktivistët e BESËS i kanë mbledhur nga afaristët e Kumanovës), por që dikujt i kushtojnë shumë. Dikush është i uritur për paqe, dikush është i uritur për bukë, dikush është i uritur për dashuri, dikush është i uritur për buzëqeshje, por ka të tillë që janë të uritur edhe për një urë. Dhe, mesazhi i aktivistëve të BESËS në Kumanovë ishte ky – të merremi edhe me gjëra të vogla dhe për dikë mbase edhe të parëndësishme, ama t’ua japim njerëzve atë për të cilën ata kanë nevojë. Ndonjëherë mjafton të organizohesh fare pak, pra të mos jesh në qeveri dhe të drejtosh ministri, që të mund ta bësh një vepër të mirë. Mjafton vetëm vullneti dhe entuziazmi. Në të vërtetë, ajo që u ka munguar partive të deritanishme shqiptare është pikërisht kjo: ato nuk kanë pasur vullnet që t’i ndihmojnë shqiptarët pa e nxjerrë edhe fitimin e tyre.
Ndërkaq BESA është krejt ndryshe. Le të jetë një urë e vogël si kjo, që e ka një çmim simbolik, pra s’po flasim për hidrocentral a fabrikë, por thjesht një urë, ama të shkojë në vend mesazhi se ne jemi këtu për të bërë ura e jo vetëm “Urra!”. Pa pompozitet, pa shkuar drejtuesit e BESËS ta presin shiritin, pa i mbledhur të hurit e të konopit me na pa se çka kemi bërë, prej dje këto familje shqiptare do ta kenë jetën më të lehtë. Nëse ne arrijmë ta mbjellim këtë shpresë te shqiptarët, se nuk është me rëndësi se për kë votojnë ata, por me rëndësi është që ne aty ku mundemi dhe aq sa mundemi, të kontribuojmë që njerëzit ta kenë jetën më të mirë, misioni jonë është kryer. Nesër BESA mund edhe të mos jetë, por ura e Kumanovës do të mbetet. Dhe, pavarësisht se çfarë do të ndodhë në zgjedhje, ura nuk lëviz që aty.
Ky është misioni jonë dhe kështu do të jetë veprimtaria jonë – të bëjmë aq sa mundemi që shqiptarët e Maqedonisë ta kenë jetën më të lehtë dhe më të mirë. Qoftë në opozitë, qoftë në pushtet, ky mision nuk do të ndryshojë. Dhe, këtë do ta bëjmë pa “Urra burra!”, por me modesti dhe njerzillëk. Nëse kjo kuptohet dhe pranohet si standard nga shqiptarët, për neve mjafton. Sepse, të bësh ura dhe të çirresh me “Urra burra!” nuk është njësoj.
Prandaj, të bëjmë sa më shumë ura, sepse urat janë jeta, ndërsa urra-t janë mashtrimi!
Dhe, krejt në fund, personalisht më vjen mirë që edhe unë jam në anën e urës.
