Në shtetet me shoqëri multietnike, si Maqedonia, partitë politike në vizionin e tyre mund të kenë dy stacione finale: njëri është i ndarjes në baza etnike, ndërsa tjetri i bashkimit si qytetarë të lirë. I pari sjell rrezikun e konflikteve dhe shkatërrimit, kurse i dyti sjell rrezikun e krizës identitare. Diçka në mes nuk ka dhe as që mund të improvizohet. Te i pari të çojnë ideologjitë e djathta, te i dyti ato të majta.
Shkruan: Xhelal NEZIRI
Para se të profilizohet në aspektin ideologjik çdo parti politike duhet të tregojë me sinqeritetin më të madh vizionin e saj. Pra, të paraqesë të ardhmen që e dëshiron për qytetarët, etninë ose shtetin që përfaqëson. Vizioni në politikë do të thotë ta dish emrin e stacionit të fundit ku duhet të arrish. Është temë e veçantë nëse ai stacion i fundit është rezultat i interesit të përgjithshëm ose grupor e individual. Ndërkaq, ideologjitë janë vetëm mjet transporti për të arritur deri te destinacioni i parapërcaktuar.
Ka shumë raste kur partitë kanë filluar udhëtimin si të majtë, e kanë vazhduar si liberalë dhe e kanë përfunduar si të djathtë. Ose, figurativisht thënë, e kanë filluar me biçikletë, e kanë vazhduar me autobus, por në destinacionin e fundit kanë arritur me tren. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) rrjedh nga struktura politike ilegale e quajtur si Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), e cila veproi vite me radhë kryesisht në diasporë si e majtë ekstreme. Pjesëtarë të kësaj partie frymëzim gjenin te fjalimet dhe veprat e Enver Hoxhës, diktatori i cili udhëhoqi me Shqipërinë për 45 vite me radhë. Ajo, në të shumtën e rasteve, u ndihmua edhe nga e majta e shteteve ku kishte shtrirë veprimin kjo lëvizje. Nga kjo strukturë lindi edhe UÇK-ja e Kosovës, si një grup i armatosur që nxiti luftën kundër forcave serbe në Kosovë, që rezultoi me ndërhyrjen e NATO-s. Ajo edhe pas luftës PDK-së vazhdoi të funksionojë në kuadër të matricës së saj ideologjike, duke u pozicionuar si e qendrës së majtë. Megjithatë, në kuvendin zgjedhor të mbajtur në janar të vitit 2014 PDK-ja u pozicionua si parti e qendrës së djathtë. Kaloi nga një matricë ideologjike në një tjetër.
Gati të njëjtin itinerar udhëtimi e ka pasur edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni. Edhe kjo parti lindi nga LPK-ja, inicioi konfliktin në Maqedoni dhe më pas u pozicionua në skenën politike të vendit si e qendrës së majtë. Si të tillë, qeverisën me të majtën maqedonase Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM). Por, kur në vitin 2006 në pushtet erdhi e djathta maqedonase VMRO-DPMNE, kjo parti u ripozicionua si e djathtë, edhe pse nuk është marrë një vendim i partiak lidhur me këtë.
Orientimet në shtetet multietnike
Në shtetet me shoqëri multietnike, si Maqedonia, partitë politike në vizionin e tyre mund të kenë dy stacione finale: njëri është i ndarjes në baza etnike, ndërsa tjetri i bashkimit si qytetarë të lirë. I pari sjell rrezikun e konflikteve dhe shkatërrimit, kurse i dyti sjell rrezikun e krizës identitare. Diçka në mes nuk ka dhe as që mund të improvizohet. Te i pari të çojnë ideologjitë e djathta, te i dyti ato të majta.
Bashkimit Evropian (BE) sot ballafaqohet me rrezikun e zhbërjes për shkak të rikthimit të pjesës më të madhe të vendeve në guacat e tyre shtetërore, pa mbajtur shumë llogari për avancimin e projektit evropian si imperativ për një kontinent paqësor (pa konfliktet e përjetuara gjata historisë), të zhvilluar dhe lojtar serioz në skenën politike globale. Në këto shtete, të cilat para interesit evropian e vënë interesin e tyre shtetëror, në pushtet është e djathta. Dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja u promovua si ide nga ish-kryeministri britanik Dejvid Kamerun që nga viti 2010, kur partia e tij konservatore e mori pushtetin. Paraqitja e fraksionit më ekstrem në kuadër të kampit djathtist konservator në Britani flet për një moment të ri të krizës, nëpër të cilin po kalon e djathta racionale.
Ky fenomen mund të haset edhe te kampi i djathtë në Gjermani dhe vendet e tjera të BE-së, të cilët e rritin shtypjen për ekskluzivizëm dhe mbyllje të vendeve në kuadër të vlerave egoiste kombëtare. Megjithatë, e djathta moderne e BE-së, e udhëhequr nga kancelarja gjermane dhe lidere e CDU-së, Angela Merkel, ende qëndron në mburojën e projektit evropian dhe promovimit të vlerave dhe parimeve bazë të këtij organizmi, siç është solidarizimi me refugjatët. Por, edhe e rrezikuar seriozisht nga e djathta më ekstreme, që kërkon rikthimin e vëmendjes në interesat ekskluzive të Gjermanisë.
Kandidimi për president të SHBA-ve i një figure kontroverse politike, si Donald Tramp, dëshmon se nëpër një krizë të tillë kalon edhe e djathta amerikane, e cila rrezikon që për herë të parë në historinë amerikane, pas dy mandateve të demokratëve, të mos e fitojë presidencën. Momenti kyç, që solli paraqitjen e së djathtës ekstreme dhe mbylljes së shteteve në kuadër të interesave të tyre të ngushta, ishte kriza financiare, ndërkohë që kulminacionin e arriti me krizën e refugjatëve. Pra, frika nga “të huajt” ose nga “tjetri” mund të shndërrohet në një platformë politike të ngritur mbi fajësimin e të tjerëve për të gjitha dështimet.
Maqedonia është një shtet, ku pjesa veri-perëndimore është e banuar me shumicë të shqiptarëve etnikë, kurse pjesa qendrore dhe lindore me maqedonas etnikë. Kryeqyteti i vendit, Shkupi, po ashtu është i ndarë edhe fizikisht. Duke i marrë parasysh këto fakte, por edhe konfliktin e vitit 2001, rezulton se ky vend i vogël në qendër të Ballkanit nuk mund të durojë gjatë në një qeveri që do të përbëhej nga e djathta ekstreme. Politikat etnocentriste, njëjtë si në BE, edhe në Maqedoni mund të çojnë në thellimin e dallimeve dhe në konflikte të reja ndëretnike. Forcimi i një etnie në kurriz të tjetrës dhe marrja e ekskluzivitetit për identifikim me shtetin vetëm nga një etni, i forcon idetë për ndarje të shtetit te etnia që nuk është shumicë.
Parti hibride
Por, sa janë të profilizuara partitë politike shqiptare në Maqedoni? Para se të jap përgjigje do të orvatem ta rifreskoj kujtesën lidhur me ndarjet ideologjike të partive politike. E majta dhe e djathta si emërtime kanë filluar të përdoren nga Revolucioni Francez, pra kah fundi i shekullit të 18-të. Këto terme i janë referuar anës në të cilët janë ulur deputetët në parlamentin francez – në anën e djathtë ishin ulur ata që i kishin përkrahur institucionet e regjimit të monarkisë, kurse në të majtën ata që e kundërshtonin monarkinë dhe e përkrahnin revolucionin për të krijuar republikën dhe sekularizmin. E djathta mëton të krijojë një hierarki dhe rregulla shoqërore të determinuara nga natyra dhe historicizmi, ndërsa e majta pretendon për një barabarësi dhe solidaritet midis grupeve të ndryshme shoqërore. E djathta e ka prioritet kolektivitetin (etninë, religjionin, elitën), kurse e majta individin dje qytetarin me të gjitha veçoritë e mundshme të tij. E djathta i mbron interesat e kapitalistëve dhe njerëzve të pasur, pasi mendon se – nëse ato kanë sukses – do të arrijnë të sigurojnë jetesën e shumë individëve që nuk kanë aftësi të mbijetojnë vetë. E majta, ndërkaq, e mbron interesin e klasës së mesme punëtore, duke pretenduar se vetëm në këtë mënyrë pronësia e shtetit do të mbetet te populli. E djathta synon t’i ruajë vlerat tradicionale, përfshirë edhe ato fetare, duke i konservuar si të paprekshme, ndërkohë që e majta kërkon një liri më të madhe të individit në raport me trendet moderne.
Jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë, kemi të bëjmë me parti politike hibride në aspektin ideologjik. Pa i futur në kallëpet ideologjike, në realitet te shqiptarët e Maqedonisë dhe Kosovës mbisundon e djathta për shkak të frikës së rrënjosur nga asimilimi, që nga viti 1945 e këndej. Mbyllja e shqiptarëve në guacat etnike dhe refuzimi i integrimit në shoqërinë jugosllave është parë si formë mbijetese. Një situatë më ndryshe kemi në Shqipëri, ku e majta në fakt përbën shumicën. Në këtë vend e djathta ka ardhur në pushtet ose pas trazirave ose pas përçarjes së të majtës.
Pra, në aspektin e konservimit të vlerave etnike, partitë shqiptare deklarativisht janë të djathta, por praktikisht në pushtetet shumetnike veprojnë si të majta. Në rrafshin ekonomik, nga paraqitjet publike ku promovojnë barabarësi sociale, tingëllojnë si të majta, por pasurimi individual dhe etablimi i oligarkive në fakt është rezultat i veprimeve djathtiste. Në raport me religjionin ato duken si të djathta, duke promovuar vlerat fetare, por në fakt veprojnë si të majta, duke i shkelur çdo ditë të njëjtat. Janë parti ideologjikisht të padefinuara ose hibride, edhe për shkak yë mungesës së debatit të argumentuar mbi ideologjitë. Debati i hapur mbi kombin kosovar është keqkuptuar nga shumica pikërisht për shkak të mungesës së njohurive mbi kombin, etninë ose popullin. Rrjedhimisht, kemi gozhdim publik të atyre që dëshirojnë të ndërtojnë një dashuri ndaj shtetit të Kosovës, e cila assesi nuk e rrënon dashurinë ndaj etnisë shqiptare, që ka shtrirje në më shumë shtete.
Për pësojë, frika nga ideologjitë dhe unionet duhet t’i takojë së kaluarës dhe jo vetëm te shqiptarët, që kanë një identitet të etabluar etnik, i cili ngrihet mbi gjuhën, historinë, mitet dhe folklorin e përbashkët. Në një kohë të globalizimit, kur qarkullimi i njerëzve dhe vlerave nuk njeh kufij ose distanca gjeografike, është gati e pamundur të konservohen vlerat etnike, kombëtare ose shtetërore dhe ato të mbyllen për ndikimet nga jashtë. Shtetet e konservuara, si Korea e Veriut, shihen me përbuzje dhe keqardhje anembanë globit.