Forca me prirje fashiste pritet ta marrin udhëheqjen në Serbi. Kosova po përballet me një konfigurim të ri politik, në të cilin në garë janë futur dy blloqe: njëri që e “do” shtetin po ndërkohë që e ka zhvatur deri në skajshmëri, ndërsa tjetri që do ta marrë drejtimin e institucioneve, por që nuk e njeh shtetësinë, madje as edhe himnin. Shqipëria, po ashtu, mes dy rrymave: njëra që ka mbjellë më pak kanabis dhe tjetra që ka lejuar më shumë “eksportin” e kësaj “bime”. Mali i Zi i është i “ndarë” në dysh mes pro-rusëve (pro – serbëve) dhe pro – Perëndimit. Bosnja… mbetet nën mëshirën e “hienave”, që presin secila ta marrin hisen e vet. Maqedonia, kjo më është storie në vete… Jo që Kushtetuta e këtij vendin nuk parasheh zgjidhje për krizën politike, por as sociologjia dhe politologjia si duket nuk kanë arritur të shpikin teori për tejkalimin e ngërçit (politik) në të cilin është futur.
Bashkimi Evropian, njësoj, gjendet para një ekspansioni të fuqishëm të frymës nacionaliste. Pas Britanisë, tani edhe Franca, Italia dhe Holanda po kërkojnë EXIT… E kjo vetvetiu po bëhet shkas për rritjen e tiranisë ose prirjes për të pasur tiranë edhe në vendet e rajonit tonë me arsyetimin se ne jemi të zotët e vetvetes!?
Bashkimi Evropian, njësoj, gjendet para një ekspansioni të fuqishëm të frymës nacionaliste. Pas Britanisë, tani edhe Franca, Italia dhe Holanda po kërkojnë EXIT… E kjo vetvetiu po bëhet shkas për rritjen e tiranisë ose prirjes për të pasur tiranë edhe në vendet e rajonit tonë me arsyetimin se ne jemi të zotët e vetvetes!?
SHBA-të, si boshti kryesor rreth të cilit silleshim të gjithë, tani pas ardhjes në pushtet të Presidentit Donald Trump, si duket ka ndjellë hamendje te të gjithë. Administrata “e vjetër” amerikane, e instaluar nëpër përfaqësitë diplomatike në rajon, me gjasë nuk po arrin ta ndjekë hapin e ndryshimit në Uashington. I vetmi moment pozitiv, për momentin është urimi i ardhur nga Shtëpia e Bardhë për pavarësinë e Kosovës dhe fotografia e shkrepur ad hock në ndonjë korridor me kryeparlamentarin Kadri Veseli.
Shashtisja se cilin drejtim do ta ndjekë secili nga këto vende, është një farë paralajmërimi se kriza në këtë pjesë të globit do të mund të jetë me efekte të mëdha për të gjithë.
Animoziteti intrashtetëror dhe ai ndëretnik e intraetnik, me gjasë do të fillojë të shpërfaqet dita-ditës edhe më shumë.
Për këtë gjendje sa janë fajtorë faktorët e brendshëm politikë, po aq faj ka edhe faktori ndërkombëtar, e posaçërisht ai evropian, i cili posaçërisht në dy vitet e fundit nuk merret aspak seriozisht në vendet përkatëse.
Florti i shumë zyrtarëve të BE-së me politikanët e pandërgjegjshëm në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Shqipëri, Bosnjë dhe Mal e të Zi, sot është kthyer si bumerang. Bashkëpunimi me shumë kriminelë me kollare në emër të mbajtjes së paqes së brishtë, ka vënë rajonin në zgrip duke krijuar një krizë të thellë.
Në emër të një institucionalizimi të rrejshëm të politikës në 15 vitet e fundit, sot kemi shtete të deinstitucionalizuara. Presidenti, kryetari i Kuvendit, kryeministri, prokurori, ministri… sot në asnjërin nga vendet përkatëse nuk paraqesin mekanizma që duhet të ngjallin respekt te shtetasit e tyre. Kurse kjo ka sjellë deri të ngufatja dhe zhvleftësimi i pluralizmit politik, duke e bërë atë të parëndësishëm.
Nëse në vitet e pas-luftërave në rajon te qytetarët ekzistonte ëndrra evropiane për t’u bërë pjesë e “familjes së madhe”, sot shtetasit e kësaj pjese të globit nuk e dinë më çfarë të kërkojnë. Madje, sipas një studimi, të gjitha vendet e Ballkanit, përjashtuar Greqinë, ekonomikisht janë në gjendje më të vështirë se pjesa më e madhe e vendeve të Afrikës!
A ka zgjidhje? Gjithsesi se PO. A mund të ketë zgjidhje tani? Gjithsesi se më këtë mendësi JO. A mund të ndryshojë kjo mendësi? Gjithsesi se PO. A mund të ndryshojë vetvetiu kjo mendësi? Gjithsesi se JO. Kush mund të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes? Miqtë e vërtetë. A e dimë se kush janë ata? Pjesërisht PO e pjesërisht JO.
