
Shkaku i përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), anulimit të fluturimeve dhe mbylljes së aeroporteve, 10 shtetas të Maqedonisë së Veriut kishin mbetur të bllokuar në Nigeri.
Enes Xhemaili nga Shkupi është një nga 10 personat e bllokuar në Nigeri, të cilët përmes Turqisë janë kthyer në vendlindje në Maqedoninë e Veriut.
Në një bisedë telefonike për Anadolu Agency (AA), Xhemaili thotë se tani ndodhen në karantinë në një hotel në Shkup, për çka falënderon autoritetet e Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut që kanë mundësuar kthimin në vendlindje.
Ai kujton se në Nigeri kanë shkuar më 21 shkurt të këtij viti, ku kanë punuar në një kompani turke e cila merret me ndërtimin dhe montimin e akuaparqeve, ndërsa rreth një muaj më pas janë mbyllur kufijtë dhe kanë mbetur në Nigeri.
“Fillimisht, ka qenë e vështirë të arrijmë deri në Abuja”
Xhemaili thotë se fillimisht kanë kontaktuar përfaqësitë diplomatike të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se megjithatë Republika e Turqisë është “shkaku kryesor” për kthimin e tyre në vendlindje.
“Kemi qenë në Agbor, një qytet që është rreth 500 kilometra larg prej kryeqytetit Abuja. Fillimisht, ka qenë e vështirë të arrijmë deri në Abuja. Atje u mbyllën aeroportet, u mbyll gjithçka dhe ne duhej të udhëtonim me automjete, gjë që është paksa e vështirë dhe problematike atje”, thotë Xhemaili, duke rikujtuar se kanë arritur në kryeqytetin e Nigerisë me përcjellje policore.
Ai falënderon shtetin e Turqisë i cili kishte nisur aeroplan për të marrë shtetasit turq, por bashkë me ta kishte marrë edhe 10 shtetas të Maqedonisë së Veriut.
“Jemi kthyer në Izmir të shtunën, më 25 prill. Prej Maqedonisë së Veriut ka qenë i organizuar autobus”, thotë Xhemaili, duke shtuar se në Maqedoninë e Veriut kanë arritur dje, më 26 prill.
Xhemaili gjithashtu shprehet falënderues ndaj autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, të cilët siç thotë ai, i kanë kontaktuar çdo ditë sa ka zgjatur procedura e kthimit për të pyetur për gjendjen e tyre.
Ashtu edhe siç është e paraparë nga masat e ndërmarra nga Maqedonia e Veriut, shtetasit e kthyer nga Nigeria, që nuk është shtet me rrezikshmëri të lartë nga COVID-19, tani janë vendosur në një hotel në Shkup, ku do të kalojnë periudhën e karantinës prej të paktën 14 ditë.
Xhemaili thotë se asnjë pjesëtarë i grupit nuk ka zhvilluar simptoma të COVID-19, duke shtuar se gjatë udhëtimit u janë bërë kontrolle në Turqi dhe në Maqedoninë e Veriut.