
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me qëndrimet, si dhe shkrimet në media ndaj shqiptarëve në Britaninë e Madhe, duke theksuar se kjo lloj gjuhe nuk është politikë.
Në një intervistë për BBC, kryeministri Rama tha se çështja ka të bëjë me dështimin e politikave. “Nuk është për shqiptarët apo jashtëtokësorët, gangsterët, por ka të bëjë me politika të dështuara për kufirin dhe krimin”, tha Rama.
“Disa vite më parë, ne kishim të njëjtin problem me Gjermaninë. Por, Gjermania lëvizi në drejtimin e duhur. Gjermanët asnjëherë nuk fajësuan shqiptarët dhe politikanët gjermanë nuk dolën të thonë se po na pushtojnë shqiptarët apo gjëra të tilla. Por, ata bënë një ligj ku Shqipëria përkufizohej si një vend i sigurt origjine”, është shprehur Rama.
I pyetur se cilat mund të jenë pasojat e qëndrimeve për shqiptarët të cilët janë vendosur në Britaninë e Madhe, Rama tha se kjo lloj gjuhe nuk paraprin gjëra të mira.
“Kjo lloj gjuhe nuk është politikë, nuk është program, nuk është vizion. Kjo nuk është gjë tjetër vetëm nxitje e ksenofobisë, vënie në shënjestër apo veçimit të një komuniteti dhe ecje në drejtim të kundërt të traditës britanike për integrimin e minoriteteve”, ka shtuar Rama.
Disa ditë më parë, sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Suella Braverman, në lidhje me situatën e fundit në vendkalimet e Kanalit Anglez (La Manche), tha se “Le të jemi të qartë se çfarë po ndodh vërtet këtu: populli britanik meriton të dijë se cila parti është serioze për ndalimin e pushtimit në bregdetin tonë jugor dhe cila parti jo”.
Në raportimet e mediave është theksuar se Braverman ka deklaruar se duhet përshpejtuar procesi i shqyrtimit dhe të realizohet “largimi i shtetasve shqiptarë”, deklarata të cilat shkaktuan edhe reagime.