Fillimi LajmeQeveria e Maqedonisë së Veriut heq orën policore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut heq orën policore

nga Shekulli Agency

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, në një konferencë për media ka njoftuar për vendimet e reja qeveritare, sipas së cilave nga nesër hiqet ora policore, ndërsa lehtësohen edhe disa masa tjera kufizuese për parandalimin e koronavirusit të ri (COVID-19).

Kryeministri Spasovski tha se të gjitha vendimet janë marrë sipas analizave dhe rekomandimeve të Komisionit të Sëmundjeve Infektive.

“Qeveria sot solli vendime sipas të cilave nuk vlejnë më disa masa kufizuese. Nga nesër, 27 maj, nuk vlen më vendimi për ndalesë dhe regjim të veçantë të lëvizjes në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Spasovski.

Përpos kësaj, Spasovski tha se nga dita e enjte, 28 maj, do të fillojnë me punë vetëm restorantet dhe kafenetë që kanë hapësira të hapura sipas protokolleve të caktuara, duke shtuar se në fazën tjetër do të shqyrtohet hapja e objekteve që nuk kanë hapësira të hapura.

Spasovski gjithashtu tha se është miratuar protokolli për hyrjen e shtetasve maqedonas, duke theksuar se karantina e detyrueshme shtetërore zëvendësohet me vetë-izolim, nëse shtetasi ka test negativ të COVID-19 të kryer 72 orë para hyrjes në shtet.

Ai gjithashtu tha se është detyruar Komisioni i Sëmundjeve Infektive që të vlerësojë mundësinë e hapjes së kufijve, si dhe të përgatisë protokolle për mënyrën e funksionimit të hoteleve.

Sipas Spasovskit, epidemia COVID-19 në Maqedoninë e Veriut është nën kontroll, ndërsa numri i rasteve aktive është stabil.

Ai bëri thirrje për respektim të masave, siç janë distancimi fizik dhe mbajtja e pajisjeve mbrojtëse, duke shtuar se “virusi nuk do të zhduket brenda natës, por do të jetë i pranishëm derisa të fitohet imunitet apo të zbulohet vaksina”.

Të pranishëm në konferencën për media ishin edhe zv/kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, si dhe kryetari i Komisionit të Sëmundjeve Infektive, Zharko Karaxhoski.

Ministri Filipçe rikujtoi se sot bëhen tre muaj që nga regjistrimi i rastit të parë pozitiv me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, ndërsa zv/kryeministri Osmani falënderoi qytetarët që kanë respektuar masat e deritanishme.

Karaxhoski u shpreh i kënaqur me masat e ndërmarra, duke theksuar se ato ndihmuan në diagnostikimin, izolimin dhe trajtimin në kohë të pacientëve.

Sipas të dhënave të fundit nga autoritetet shëndetësore, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 2.014 raste me COVID-19. Numri i pacientëve të shëruar është 1.453, numri i të vdekurve 116, ndërsa kanë mbetur 445 raste aktive me koronavirus.

Zyrtarët më parë kishin njoftuar se kulmi i rasteve me COVID-19 në vend do të arrinte midis 2.000 dhe 2.500 rasteve të zbuluara.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies