Juristi Dastid Pallaska, ka thënë se problemet me kufirin me Malin e Zi nuk është tema kryesore që duhet të diskutohet në vend. Ai ka thënë se kosovarët kanë probleme më të madha se ky i kufirit.
Siç ka thënë Pallaska, demarkacioni është një dështim i Qeverisë dhe ata duhet të merren me këtë çështje, por jo çdo ditë të flitet e debatohet për të. Pallaska ka thënë se qeveritarët nuk janë duke kryer punë si duhet.
“Esencialisht ky është shtet i dhuruar, kjo Kushtetutë, ai shtet i vitit 2008 ka qenë esencialisht i dhuruar, e çka kemi bërë prej atëherë deri tash është se e kemi copëtuar. Shumica ka qenë për interesa private, plaçkitje e shtetit e tash ja kanë nis edhe me shkëputë Kushtetutën e ligjet tjera duke e konsideruar si pronë private”, tha Pallaska në ‘Debat’ të RTK-së.
Ai ka thënë se ata nuk kanë bërë asgjë për të ndërtuar shtetin. Pallaska thotë se kontributi i politikanëve ka qenë vetëm tkurrja e Kosovës, copëtimi i saj, zhvatja dhe dëmtimi në shumë sfera.
“Kjo qeveri dhe opozita nuk kanë dhënë ndonjë kontribut për vendin. Asnjëra palë nuk i ka ndihmuar Kosovës që të ec përpara. Ata vetëm kanë bërë shkëputje të ecjes përpara. E kanë copëtuar Kosovën, janë pasuruar vetë, dhe e kanë plaçkitur shtetin”, ka thënë Pallaska.
