
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha sot se po ndjek përparimin e Rusisë në zhvillimin e një vaksine kundër COVID-19, por paralajmëroi që përparimi në luftën kundër virusit nuk duhet të kompromentojë sigurinë.
Duke komentuar njoftimin e mëparshëm të presidentit rus Vladimir Putin se Rusia kishte regjistruar vaksinën e parë të koronavirusit në botë, zëdhënësi i OBSH-së Tarik Jasareviç në një konferencë për media të mbajtur në OKB tha se “pandemia është duke kërcënuar jetën dhe ekonomitë”.
“Është thelbësore që të zbatojmë të gjitha masat e shëndetit publik që ne e dimë se funksionojnë dhe ne duhet të vazhdojmë të investojmë dhe të përshpejtojmë zhvillimin e trajtimeve dhe vaksinave të sigurta dhe efektive që do të na ndihmojnë të zvogëlojmë transmetimin e sëmundjeve në të ardhmen”, tha Jasareviç duke iu përgjigjur pyetjes së AA-së.
Vaksina, e zhvilluar nga Qendra Kombëtare Hulumtuese Gamaleya, është regjistruar zyrtarisht në Ministrinë e Shëndetësisë së Rusisë, tha Putin në një takim të anëtarëve të qeverisë në Moskë.
“Ne jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet shëndetësore ruse dhe diskutimet janë duke vazhduar në lidhje me parakualifikimin e mundshëm të vaksinës”, theksoi Jasareviç, duke shtuar se parakualifikimi i çdo vaksine ka nevojë për rishikim dhe vlerësim të rreptë.
Ai gjithashtu tha se sa më shpejt të jenë të disponueshme “të dhënat thelbësore të provës klinike”, organet rregullatore kombëtare duhet të jenë të gatshëm të rishikojnë të dhënat e sigurisë dhe efikasitetin, përpara se të fillojë të përdoret.
“Ne jemi duke ndjekur progresin në zhvillimin e vaksinave COVID-19 dhe ne mirëmbajmë draftin e vaksinave-kandidatëve, i cili azhurohet çdo javë në faqen tonë të internetit”, tha zëdhënësi, duke shtuar se “OBSH radhit 25 vaksina-kandidate në vlerësimin klinik dhe 139 në vlerësim para-klinik”.
Jasareviç tha se OBSH ka programin e saj përshpejtues që kërkon të shpejtojë hulumtimin për një vaksinë efektive për të gjitha vendet.
“Në të njëjtën kohë, ne jemi duke mbështetur ndërtimin e aftësive prodhuese dhe blerjen e furnizimeve para kohe në mënyrë që të kemi doza që mund të shpërndahen në mënyrë të barabartë në vitin 2021”, shtoi ai.