
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka pohuar se koronavirusi i ri (COVID-19) iu transmetua njerëzve “nga një kafshë” dhe se pretendimet se ai e ka origjinën në një laborator në Kinë janë të pasakta.
“Të gjitha provat e disponueshme sugjerojnë se virusi ka origjinë shtazore dhe nuk është i manipuluar apo i krijuar në një laborator apo diku tjetër”, tha zëdhënësja e OBSH-së, Fadela Chaib, duke iu përgjigjur pyetjeve në një konferencë për media në Kombet e Bashkuara (OKB) në Gjenevë në lidhje me pretendimet se virusi u përhap nga Instituti i Virologjisë në Wuhan.
“Patjetër që kishte një bartës ndërmjetësues ose një kafshë tjetër që e transmetonte këtë virus nga lakuriqët te kjo kafshë tjetër, pastaj te njerëzit”, shtoi ajo.
Sipas saj, ka shumë gjasa që ka rezervuarin e tij ekologjik në lakuriqë, por se si erdhi virusi nga lakuriqët te njerëzit duhet të zbulohet.
Chaib mirëpriti ndihmën e të gjitha vendeve për gjetjen e origjinës së virusit dhe tha se është e pritshme që shumë teori “magjepsëse” të qarkullojnë në media dhe rrjete sociale kur paraqitet një virus i ri.
“OBSH është një organizatë që bazohet në shkencë dhe ne po bashkojmë forcat me shumë ekspertë për të gjetur origjinën e virusit, në Wuhan ose në një vend tjetër”, tha ajo.
Këto pretendime u nxitën nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili javën e kaluar tha se Washingtoni dëshironte të zbulonte nëse virusi kishte origjinën nga një laborator në Wuhan.
Shkencëtarët dhe studiuesit po përpiqen të gjejnë një vaksinë për virusin i cili ka infektuar më shumë se 2.5 milionë njerëz në të gjithë botën dhe ka shkaktuar vdekjen e rreth 172 mijë të tjerëve.
“Ne kemi më shumë se 70 vaksina në zhvillim në botë dhe shumë terapi janë në prova klinike”, tha Chaib, duke shtuar se OBSH po bashkëpunon me OKB-në dhe prodhuesit farmaceutikë, kështu që kur të gjendet një vaksinë ajo do të ndahet në mënyrë të barabartë me të gjitha vendet.