
Universiteti i Trakyas (TU) dhe Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës nënshkruan një protokoll bashkëpunimi për trajnimin dhe zhvillimin profesional të punonjësve shëndetësorë, raporton AA.
Në ceremoninë e zhvilluar në Sallën e Senatit të Universitetit të Trakyas, u nënshkrua protokolli për rritjen e shkëmbimit të njohurive dhe përvojës në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve, mbështetjen e zhvillimit profesional të punonjësve shëndetësorë nga Kosova dhe zhvillimin e punës së përbashkët.
Guvernatori i Edirnes, Yunus Sezer, në fjalën e tij në ceremoni tha se bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve vëllezërore është i rëndësishëm.
Duke theksuar se Ballkani ka një vend të veçantë për Turqinë dhe Edirnen, Sezer tha se është e rëndësishme që njohuritë dhe përvoja në fushën e shëndetësisë të ndahen me vendet e rajonit.
“Uroj që protokolli të shërbejë si model dhe të zbatohet edhe për vendet e tjera të Ballkanit. Dëshirojmë të ndajmë përvojat tona në fushën e shëndetësisë me vendet e Ballkanit, veçanërisht me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, t’u shtrijmë dorën njerëzve atje dhe të forcojmë lidhjet tona shpirtërore”, theksoi ai.
– “Qëllimi ynë është të mundësojmë marrjen e shërbimeve shëndetësore në Kosovë”
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fikrim Damka, tha se marrëdhëniet e rrënjosura mes Turqisë dhe Kosovës do të forcohen edhe më tej përmes bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë.
Duke thënë se kanë një miqësi shumëvjeçare me Universitetin e Trakyas, e cila ka nisur me punë kulturore, Damka tha se është e rëndësishme që kjo të shtrihet edhe në fushën e shëndetësisë.
“Qëllimi ynë është të mundësojmë që shërbimet shëndetësore të nevojshme të merren sa më shumë që të jetë e mundur në Kosovë. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që mjekët tanë të diplomuar këtu të vazhdojnë specializimin e tyre, si dhe punonjësit tanë shëndetësorë, mjekët dhe infermierët tanë të vazhdojnë trajnimet e tyre”, shtoi ai.
– “Vëllezërit tanë në Ballkan duhet ta shohin fuqinë tonë si fuqinë e tyre”
Rektori i Universitetit të Trakyas, Prof. Dr. Mustafa Hatipler, tërhoqi vëmendjen te lidhjet historike dhe kulturore mes Edrenesë dhe hapësirës ballkanike.
Duke shpjeguar se universiteti nuk i kufizon vetëm në fushën e shëndetësisë punët e tij kushtuar Ballkanit, Hatipler tha se synojnë të ndërtojnë “ura vëllazërie” edhe në fushat e arsimit, kulturës, artit dhe letërsisë.
“Vëllezërit tanë në Ballkan duhet ta dinë se, sa më të fortë të jemi ne, cilado qoftë fuqia jonë, vëllezërit tanë mjekë dhe profesionistët shëndetësorë në Kosovë duhet ta shohin fuqinë e Universitetit të Trakya në fushën e shëndetësisë si fuqinë e tyre”, tha Hatipler.
Zëvendësrektori i Universitetit dhe dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Sedat Ustundag, tha gjithashtu se protokolli është një nga hapat e rëndësishëm në marrëdhëniet vëllazërore mes Turqisë dhe Kosovës në fushën e shëndetësisë.
Drejtori i Njësisë Shëndetësore të Shërbimeve Spitalore, Klinike dhe Universitare të Kosovës, Dr. Ardian Shefkiu, tha se i kushtojnë rëndësi të madhe përvojës akademike dhe shëndetësore të Universitetit të Trakyas.
Pas fjalimeve u nënshkrua “Protokolli i Bashkëpunimit për Trajnimin dhe Zhvillimin Profesional të Punonjësve Shëndetësorë”.