
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në Kosovë ka mbajtur tryezën e diskutimit me temë “Roli i vendimeve të Gjykatës Supreme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit: Një thirrje për disiplinim të gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme”, raporton AA.
Drejtoresha ekzekutive e GPLS-së, Arbresha Loxha, tha se efikasiteti i sistemit gjyqësor ka pësuar lëkundje në Kosovë.
“Efikasiteti i sistemit ligjor në Kosovë është lëkundur shumë dhe është diskutuar edhe më shumë kohëve të fundit meqenëse janë paraqitur një mori rastesh ku Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë së parashtruar nga Prokuroria e Shtetit”, theksoi Loxha.
Ajo tha se asnjë mjeti juridik nuk mund t’i hiqen karakteri efektiv në raport me gjendjen e zbatimit të rregullt të ligjit dhe në raport me palët dhe vendimet e gjykatave më të ulëta.
“T’ia heqësh një mjet juridik karakterin efektiv është e njëjtë me mënjanimin e plotë të arsyes për ekzistencën e tij”, tha Loxha, duke shtuar se Gjykata Supreme duhet të nxjerr udhëzuesin për zbatimin unik të ligjeve nga gjykatat në Kosovë.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme në Kosovë, Fejzullah Hasani, deklaroi se korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të jenë prezent në Kosovë. Ai tha se “ka ngecje në luftimin e këtyre dukurive negative dhe duhet një reformë e thellë dhe angazhim i madh”.
“Nuk është çështje e vullnetit të Gjykatës Supreme por e ligjit se ligji nuk e mundëson një gjë të tillë për mbrojtjen e ligjshmërisë. Gjykata nuk ka mundësi të rikthej rastin në rigjykim. Korrupsioni dhe krimi i organizuar është prezent në Kosovë dhe në aspektin e luftimit kemi ngecur, me një dimension kemi mbetur mbrapa në krahasim me rajonin”, tha Hasani duke shtuar se një gjë e tillë po përbën “pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkim Evropian (BE) dhe liberalizim të vizave për qytetarët”.
Prokurorja në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula, theksoi se në Kosovë, në mënyrë drastike janë duke u rritur rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Rezultatet janë evidente dhe ju mund të shihni se në mënyrë drastike po rritet numri i rasteve të korrupsionit. Këshilli Prokurorial ka punuar duke ngritur aktakuza ndaj ministrave, prokurorëve e gjyqtarëve”, tha Pula.
Sipas saj, në vitin 2019, Gjykata Supreme ka aprovuar vetëm 2 raste korruptive nga 26 të tilla duke i konsideruar ato vetëm konstatime. Në vitin 2018 janë pranuar 25 raste për korrupsion me vetiniciativë dhe jo nga palët, prej të cilave 18 të aprovuara dhe 7 të refuzuara nga prokuroritë ndërsa Gjykata Supreme ka aprovuar 10 raste të korrupsionit në vitin 2018.