
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka njoftuar se janë konfirmuar pesë raste të reja me koronavirus (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve nga ky virus në vend në 24, njëri prej të cilëve është shëruar.
Ministri Filipçe gjithashtu tha se dy persona të tjerë janë diagnostifikuar me Covid-19 në një spital privat në Shkup, por theksoi se me qëllim të “unifikimit të metodës së testimit”, këto raste nesër sërish do të testohen në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik.
“Sot kemi pesë pacientë të ri pozitivë dhe dy të diagnostifikuar në laborator tjetër që do të duhet të vërtetohen nesër në laboratorin tonë në Institutin e Shëndetit Publik”, tha Filipçe.
Ai tha se bëhet fjalë për një paciete nga Shkupi dhe katër të tjerë nga Dibra. Siç theksoi Filipçe, pacientja nga Shkupi ka 54 vjet dhe është me pasqyrë të lehtë klinike. Ajo ka ardhur në Maqedoninë e Veriut mbrëmjen mes të enjtes dhe të premtes nga Holanda përmes Vjenës.
Duke u bazuar në deklaratat e pacientes, Filipçe tha ajo ka qëndruar në vetëizolim shtëpiak, duke shtuar se janë kontaktuar anëtarët e saj të familjes, shoferi i taksisë që e ka transportuar nga aeroporti në shtëpi, ndërsa po kontaktohen edhe 31 personat që kanë udhëtuar me të njëjtin aeroplan me të nga Vjena.
Filipçe informoi edhe për masat e fundit të miratuara në seancën qeveritare, duke theksuar se është vendosur që të mbyllen vendkalimet kufitare për shtetasit e huaj.
“Qeveria sonte vendosi të mbyllen të gjitha vendkalimet kufitare në Republikën e Maqedonisë së Veriut për kalimin e shtetasve të huaj, udhëtarë dhe automjete, përpos për hyrje dhe tranzit të automjeteve për transport të mallrave, për përfaqësuesit e korit diplomatik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për personat e tjerë për të cilët Ministria e Punëve të Brendshme do të jep leje pas mendimit paraprak nga Shtabi Kryesor Koordinues i Krizave”, tha Filipçe.
Ai sqaroi se personave dhe kamionëve që u lejohet hyrja, do të hyjnë në Maqedoninë e Veriut në përputhje me kushtet e veçanta për mbrojtje që janë theksuar në Protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Filipçe gjithashtu tha se 48 orë pas hyrjes në fuqi të vendimit, mbyllet edhe vedkalimi kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, përpos për fluturime shtetërore, ushtarake, transport të mallrave mjekësore dhe humanitare, si dhe për fluturimet e zbrazura.
Ministri i Shëndetësisë gjithashtu tha se në seancën qeveritare është vendosur që policia të kryejë kontrolle më të shpeshta për të mbikëqyrur se a respektohen masat e vetëizolimit.
Gjithashtu, qeveria ka vendosur që terapinë kronike tani do të mund ta japin edhe mjekët amë, edhe atë në afat prej më shumë se 6 muajsh, ndërsa ordinancat stomatologjike do të ofrojnë shërbime vetëm për rastet urgjente.
Në konferencë për media mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, i cili iu përgjigj pyetjeve në lidhje me qytetarët e vendit që kanë mbetur në vendkalime të ndryshme kufitare për shkak të mbylljes së kufijve të shteteve tjera.
Dimitrov tha se si pika kritike janë vendkalimet kufitare Kroaci-Serbi dhe Hungari-Serbi, për shkak se Serbia vendosi të mbyllë kufijt për kalimin e shtetasve të huaj, duke theksuar se Ministria e Punëve të Jashtme do të bëjë gjithçka që të kthejë shtetasit e saj në vendlindje.
Dimitrov bëri thirrje që të mos udhëtohet jashtë Maqedonisë së Veriut, për shkak se kthimi është i paqartë dhe siç theksoi ai, “ne nuk kemi kontroll ndaj kufijve të shteteve tjera” dhe se ato mund të marrin vendime për mbyllje të kufijve.
Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut gjithashtu bëri thirrje që edhe qytetarët e vendit që kanë status të rregulluar në vendet e huaja, të mos nisen drejt Maqedonisë së Veriut.