
Gjermania ka njoftuar se të gjitha qendrat tregtare, baret dhe vendet sportive në mbarë vendin do të mbyllen për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Qeveria federale dhe kryeministrat e 16 shteteve federale u pajtuan mbi masat drastike pasi sot numri i të infektuarve nga koronavirusi në vend u rrit në 1.233.
Sipas një njoftimi për media nga qeveria federale, të gjitha lokalet, baret, klubet e natës, sallat e koncerteve dhe muzetë do të mbyllen përkohësisht në përpjekje për të kufizuar kontaktet sociale në sferën publike.
Shërbimet thelbësore të tilla si supermarketet, farmacitë, zyrat postare, bankat dhe stacionet e karburantit do të qëndrojnë të hapura.
Marrëveshja po ashtu ndalon mbledhjet e njerëzve në vendet e adhurimit, përfshirë xhamitë, kishat dhe sinagogat.
Sot më herët, Gjermania mbylli pjesërisht kufijtë e saj dhe rivendosi kontrolle kufitare me Francën, Austrinë, Zvicrën, Luksemburgun dhe Danimarkën.
Në Evropë, pas Italisë dhe Spanjës, Gjermania ka qenë vendi i tretë më i prekur nga pandemia e koronavirusit të ri, të njohur zyrtarisht si COVID-19.
Sipas deklaratave të autoriteteve shëndetësore në shtetet federale, numri i vdekjeve nga koronavirusi në Gjermani ka arritur në 14.