Fillimi LajmeKurti: Türkiye është partner, mik dhe aleat i madh i Kosovës

Kurti: Türkiye është partner, mik dhe aleat i madh i Kosovës

nga Shekulli Agency

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Türkiye-s (Turqisë), Mevlüt Çavuşoğlu, raporton (AA).

Siç njofton komunikata nga Zyra e Kryeministrit, kryeministri Kurti ka theksuar se Republika e Türkiye-s është partner, mik dhe aleat i madh i Republikës së Kosovës, derisa ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës.

Ministri Çavuşoğlu theksoi mbështetjen e Republikës së Türkiye-s për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, sikurse edhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Çavuşoğlu në takim me Kurtin ka thënë se Türkiye e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se Kosova është vend partner i NATO-s. Po ashtu, theksoi se Republika e Türkiye-s e ka shumë të rëndësishme paqen dhe stabilitetin dhe se nuk do të lejojë që rajoni i Ballkanit të kthehet në vitet e errëta të ’90-ta.

Ministri turk vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve.

Duke potencuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitiv ekonomik, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit.

Kurti veçoi synimin e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s ndërsa theksoi mundësitë për rritje të bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri.

Sipas komunikatës, në takim është diskutuar për shumë fusha të bashkëpunimit në ekonomi, energji, siguri dhe mbrojtje, ku “u vlerësuan lidhjet e shumta mes dy vendeve, duke veçuar ato mes qytetarëve, që janë një urë për marrëdhëniet e forta dypalëshe”.

Ministri Çavuşoğlu i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë është takuar më herët edhe me presidenten Vjosa Osmani si dhe me kryediplomaten Donika Gërvalla-Schwarz ndërsa aktualisht po qëndron në Prizren, në një takim me komunitetin turk atje.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies