Fillimi EkonomiGjermania i kthehet qymyrit ndërsa Rusia redukton dërgesat e gazit natyror

Gjermania i kthehet qymyrit ndërsa Rusia redukton dërgesat e gazit natyror

nga Shekulli Agency

Gjermania do t’i japë përparësi termocentraleve me qymyr dhe do të shtojë sasinë e gazit natyror në magazinim për të reduktuar konsumin e gazit natyror si pjesë e masave të reja të zbuluara nga ministri i Ekonomisë dhe Klimës i vendit, Robert Habeck.

“Ne do të reduktojmë konsumin e gazit në sektorin e energjisë elektrike dhe industrinë dhe do të përkushtohemi në mbushjen e depove të magazinimit”, tha Habeck.

Evropa po kërkon mënyra për të reduktuar varësinë e saj nga gazi natyror nga Rusia, e cila ose po redukton, ose në disa raste, po shkëput gazin për vendet e BE-së.

Rusia, deri më tani, ka ndaluar furnizimin me gaz në Poloni, Bullgari, Danimarkë, Finlandë dhe Holandë.

Ndërsa furnizimet ruse bëhen të pasigurta, Gjermania thotë se do të përdorë më shumë qymyr në sektorin e energjisë elektrike.

“Kjo do të thotë, për të qenë i sinqertë, më shumë termocentrale me qymyr për një periudhë tranzicioni. Kjo është e hidhur, por është pothuajse e domosdoshme në këtë situatë për të reduktuar konsumin e gazit”, tha Habeck.

Qeveria gjermane planifikon të kufizojë konsumin familjar dhe të zbatojë një mekanizëm për të inkurajuar më pak përdorimin e gazit natyror në sektorin industrial.

Si pjesë e masave të reja, Gjermania synon të hapë një linjë shtesë kredie prej 15 miliardë eurosh nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) për Trading Hub Europe, menaxher i tregut të gazit natyror të vendit, për të shmangur mungesat e gazit natyror në dimër.

Ndërsa nivelet e depozitimit në objektet e gazit natyror janë aktualisht në 57 për qind, qeveria synon të rrisë nivelet në 90 për qind deri në nëntor.

Gjigandi rus i energjisë Gazprom raportoi se furnizimi me gaz përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore mund të bjerë në 67 milionë metra kub në ditë që nga 16 qershori, nga niveli i tij i zakonshëm prej 167 milionë metra kub.

Ndërkohë, qeveria e Austrisë ra dakord me ndërmarrjen Verbund për të kthyer një termocentral të ngrohjes me gaz aktualisht jashtë funksionimit për të prodhuar energji elektrike nga qymyri.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies