Fillimi LajmeKroaci, rasti i parë i koronavirusit konfirmohet në Zagreb

Kroaci, rasti i parë i koronavirusit konfirmohet në Zagreb

nga Shekulli Agency

Rasti i parë i koronavirusit në vend u konfirmua nga kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, i cili mbajti një konferencë të jashtëzakonshme shtypi me ministrat për këtë temë.

Sot paradite, është konfirmuar rasti i parë i koronavirusit tek një shtetas kroat që ka qëndruar në Milano dhe që ka shenja të lehta të sëmundjes, konfirmoi ministri kroat i Shëndetësisë, Vili Berosh, duke shtuar se ai ishte një pacient i ri që kishte qenë në Itali që nga 19 deri më 21 shkurt.

“Mirë është që e ngritëm nivelin tonë të gatishmërisë dhe u angazhuam me kohë”, tha Plenkoviç, duke përmendur se opinioni kroat do të informohej me kohë për çdo gjë.

“Ne do të përqendrohemi në kontaktet që kishte i riu”, tha Berosh, duke njoftuar se Kroacia po e ngrit nivelin e saj të gatishmërisë në luftën kundër virusit në një nivel më të lartë.

Sëmundja është e ngjashme me gripin e zakonshëm dhe nuk pritet më shumë dhimbje sesa një infeksion i gripit, tha ministri i shëndetësisë.

Berosh do të vizitojë Italinë sot për të mësuar rreth mënyrave me të cilat Italia përpiqet të parandalojë përhapjen e virusit brenda vendit dhe për të arritur një komunikim më të mirë me vendet fqinje.

Ministri i Brendshëm Davor Bozhinoviç tha se policia kroate ishte e gatshme të marrë të gjitha masat e nevojshme urgjente, si në vendkalimet kufitare ashtu edhe në pjesën tjetër të vendit, sipas modelit të vendeve evropiane si Franca, Britania e Madhe, Gjermania të cilat kanë parandaluar me sukses përhapjen e shpejtë të virusit.

Ende nuk ka rezultate të testimit për nëntë shtetas kroatë që kanë mbërritur nga Italia dhe janë në karantinë në Rijekë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies