Fillimi LajmeKoronavirusi, Maqedonia e Veriut me masa për mbrojtjen e shëndetit publik

Koronavirusi, Maqedonia e Veriut me masa për mbrojtjen e shëndetit publik

nga Shekulli Agency

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme ka miratuar më shumë konkluzione në lidhje me ballafaqimin me koronavirusin e ri (Covid-19), në interes të mbrojtjes së shëndetit publik dhe shëndetit të qytetarëve.

Sipas kumtesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në mbledhje është miratuar konkluzion që Ministria e Shëndetësisë të krijojë një qendër të përhershme të informimit publik në të cilin do të përfshihen edhe Policia Kufitare, Qendra e Menaxhimit të Krizave dhe Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun i Qeverisë.

“Kjo qendër do të krijojë bashkëpunim të ngushtë me mediat në vend dhe do të synojë të mbledhë të gjitha informacionet përkatëse dhe të informojë me kohë, saktë dhe në mënyrë të duhur publikun për parandalimin dhe mbrojtjen e popullatës nga përhapja e koronavirusit, si dhe procedurat dhe kornizat institucionale për trajtimin e pasojave të virusit”, thuhet në kumtesë.

Nga qeveria informojnë se kanë vendosur të kufizojnë hyrjen në vend nga zonat e krizës në veri të Italisë vetëm përmes aeroporteve në Shkup dhe Ohër dhe vendkalimeve kufitare në Qafasan, Tabanoc, Bllace, Bogorodicë dhe Deve Bair.

Qeveria urdhëroi Ministrinë e Shëndetësisë që të sigurojë urgjentisht një sasi adekuate të pajisjeve mbrojtëse (maska, doreza, dezinfektues dhe veshje mbrojtëse) për institucionet e Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Kufijve dhe institucioneve të tjera për mbrojtjen e personelit.

Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë duhet të sigurojë urgjentisht sasi të mjaftueshme të sapunit dhe dezinfektuesve nëpër shkolla, kopshte dhe tualete publike.

“Qeveria ka vendosur të detyrojë të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, si dhe të gjitha universitetet, të shtyjnë të gjitha udhëtimet dhe ekskursionet e planifikuara në Itali, si dhe të organizojnë kurse edukative për parandalimin e koronavirusit, në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe qendrat e shëndetit publik”, thuhet në kumtesë.

Mes tjerash, Qeveria u rekomandon qytetarëve që të mos udhëtojnë në Itali dhe në vendet tjera ku është regjistruar prezencë më e madhe e koronavirusit.

“Ndër konkluzionet e seancës së 11-të të Qeverisë është edhe rekomandimi për institucionet për përkujdesjen e fëmijëve parashkollorë që të ndërmarrin masat e duhura për trajtimin e duhur dhe dezinfektimin e këpucëve kur hyjnë në kopshte”, informojnë nga Qeveria.

Numri i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi i ri në Kinë është rritur në 2.665 persona. Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë ka publikuar të dhënat sipas të cilave 71 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, ndërsa janë zbuluar edhe 508 raste të reja të infektimit.

Me këtë, numri i përgjithshëm i rasteve ku është zbuluar ky virus është rritur në 76.288, prej të cilëve 11.477 persona ndodhen në gjendje të vështirë shëndetësore.

Anadolu Agency

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies