Republika e Maqedonisë në muajt e fundit ka qenë një prej vendeve më të frekuentuara të emigrantëve që vijnë nga Lindja e Mesme dhe nga vendet e Afrikës Veriore, që largohen nga vendet e tyre për arsye të sigurisë dhe rreziqeve që iu kanose nga konfliktet. Në këtë udhëtim, që shpesh është konsideruar për ta si “udhëtimi i shpresës”, ata për qëllimet e tyre, nëpër shtetet në të cilat kalojnë përballen me shumë vështirësi. Ndërkohë pamjet e turmave të emigrantëve që kërkojnë të përdorin transportin hekurudhor në Maqedoni, tregojnë më së miri insistimin e tyre për të vazhduar këtë “udhëtim të shpresës”.
Tre ditët e fundit në bazë të ndryshimit të Ligjit për Azil, Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë njofton se ka lëshuar 2.208 certifikata shtetasve të huaj që në mënyrë të paligjshme kanë hyrë në territorin e Maqedonisë dhe që kanë shprehur dëshirë për njohje të së drejtës së azilit në vend.
Në periudhën një mujore duke filluar prej 19.06.2015 deri 20.07.2015, në orën 08:00 janë lëshuar gjithsej 16.519 certifikata shtetasve të huaj, prej të cilëve 12.230 meshkuj, 2.146 femra, 1.998 fëmijë të shoqëruar me mbajtës të certifikatës, si dhe 145 fëmijë të tjerë që udhëtojnë pa prindër të cilëve u është lëshuar certifikatë për shprehje të dëshirës për njohje të së drejtës së azilit në Maqedoni.
Sipas shtetësisë së personave të cilëve u është lëshuar certifikata, më të shumtë janë qytetarët nga Siria, me një numër prej 12.134 persona, pastaj 1.360 nga Afganistani, 892 Iraku, 557 nga Pakistani, 391 të Somalisë, 349 të Palestinës, 254 të Kongos, 100 të Kamerunit, ndërsa pjesa tjetër janë në numër më të vogël.
Tashmë një muaj ka kaluar që kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet e Ligjit për Azil, sipas të cilit emigrantët lejohen të qëndrojnë në vend për 72 orë, të ndjehen të lirë për tranzit dhe të shfrytëzojnë transportin publik, përfshirë autobusët dhe trenat. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme në këtë vend kanë hyrë më shumë se 14 mijë emigrantë.
Para se të shqyrtohen ndryshimet e reja të Ligjit për Azil që emigrantëve u lehtëson rrethanat, disa organizata joqeveritare lajmëruan se emigrantëve duhet tu sigurojnë kushtet e nevojshme njerëzore në qendrat ku ata janë të vendosur, veçanërisht në Qendrën në Gazi Babë të Shkupit, ku për arsye të kushteve të pa përshtatshme higjenike dhe kushteve jonjerëzore emigrantët më herët ngritën zërin në shenjë revolte.
Gjithashtu një numër jo i vogël i emigrantëve humbën jetën në hekurudhat e Maqedonisë për shkak të mungesës së transportit publik. Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare 28 emigrantë kanë humbur jetën në hekurudhat e Maqedonisë. Shumë prej tyre ishin edhe shënjestër e grupeve kriminale, duke u plaçkitur, duke u abuzuar fizikisht, si dhe duke u shitur biçikleta me një vlerë jo reale dhe shumë të lartë, me të cilat emigrantët e kalonin më shpejtë një pjesë të territorit të Maqedonisë.
Në disa raste, organizatat joqeveritare dhe humanitare paralajmëruan opinionin publik për problemet në fjalë me të cilat po ballafaqohen emigrantët, duke kërkuar trajtim më të mirë që do të mundësonte kushtet themelore për qëndrim, si dhe kanë organizuar një numër të madh të aksioneve humanitare të cilat janë mbështetur edhe nga qytetarët e Maqedonisë.
“Ne kemi zbuluar se ka më shumë se 40 raste ku refugjatët që kalojnë nëpër Republikën e Maqedonisë u sulmuan. Pra, ata janë plaçkitur, janë sulmuar me armë të ftohtë apo armë të zjarrit. Ne i trajtojmë ata si viktima të krimeve nga urrejtja, për shkak se ata janë një grup i prekshëm i njerëzve, gjendja e të cilëve abuzohet nga autorët e krimit, për shkak se ata nuk janë në gjendje për të mbrojtur veten e tyre, dhe njëkohësisht nuk janë në gjendje as për të kërkuar mbrojtje nga institucionet përkatëse”, thekson Uranija Pirovska, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni.
Për shkak të kushteve jo njerëzore, Qendra për pritje në Gazi Babë të Shkupit është mbyllur dhe tani punohet vetëm në qendrën në Vizbeg të Shkupit, ku sipas aktivistëve, ka mbetur vetëm një familje, e cila poashtu planifikon të largohet nga Maqedonia drejtë vendeve të zhvilluara evropiane.
Policia maqedonase më 11.06.2015 në fshatin Vaksincë të Kumanovës në një aksion policor zbuloi rreth 120 emigrantë, prej të cilëve 30 ishin të vendosur në disa shtëpi të fshatit. Në këtë aksion policia arrestoi katër shtetas të Maqedonisë, të dyshuar me veprën penale kontrabandim të emigrantëve.
Aktivistët e organizatave humanitare që punojnë nëpër territorin e Maqedonisë, veçanërisht në qytetin e Gjevgjelisë kanë filluar aksionin që nga muaji qershor dhe iu ofrojnë ndihmë emigrantëve duke u treguar atyre rrugën më të lehtë për të kaluar territorin e Maqedonisë, u sigurojnë ushqim, si dhe ilaçe dhe ndihma të Kryqit të Kuq dhe spitaleve të Gjevgjelisë, tregon aktivisti Sedat Shabani nga organizata humanitare “NUN” nga Shkupi, i cili tashmë një kohë të gjatë punon në terren në jug të Maqedonisë, në qytetin e Gjevgjelisë.
Më vonë, numri i emigrantëve shënoi një rritje të ndjeshme, ku sipas aktivistit Sedat Shabani, në një kohë në vendkalimin kufitar greko-maqedonas vëreheshin duke hyrë në Maqedoni prej 1.200 deri në 1.500 emigrantë në ditë, ndërsa tani ky numër është zvogëluar, në mënyrë që për një ditë mesatarisht të hynë rreth 500 emigrantë, të cilët kalojnë në Gjevgjeli, udhëtojnë me tren deri në Tabanovcë dhe më pas vazhdojnë drejt Serbisë.
“Një pjesë e madhe e tyre shkojnë drejt Beogradit, ku më pas përmes kryeqytetit të Serbisë vazhdojnë drejtë Hungarisë dhe vendeve të tjera të zhvilluara të Bashkimit Evropian”, thotë Shabani.
Arsyeja për ardhjen masive të emigrantëve në periudhën e fundit ishte informacioni që Hungaria ka filluar ndërtimin e një muri të lartë në kufi me Serbinë, me të cilin ka për qëllim të pengojë hyrjen e emigrantëve në territorin e Hungarisë. Një arsye tjetër për ardhjen masive të emigrantëve është edhe sepse në Maqedoni mund të përdoret transporti publik, i cili lehtëson udhëtimin e tyre dhe që ka rritur ndjeshëm numrin e hyrjes së emigrantëve në këtë vend, përfshirë gra dhe fëmijë të mitur.
Një tjetër vullnetare nga shoqata majtiste “Solidariteti” në Shkup, Gabriela Andeevska e cila ndihmon emigrantët në nevojë thotë se në punën vullnetare është përfshirë tashmë prej dy muajsh.
“Këtu jam për ti ndihmuar sa mundem që me të vërtetë kanë nevojë për ndihmë. Nuk mund të jeni njeri, dhe të jeni indiferent ndaj kësaj, të pranoni këtë, të shikoni se si flenë në beton, sa të pafuqishëm janë, se si rrjedhin gjak, Mund të japim pak nga vetja dhe kjo për ta është shumë. Pra pikërisht atë e bëj këtu”, tregon Andeevska.
Emigrantët nga Lindja e Mesme dhe nga vendet e Afrikës Veriore për arsye të sigurisë dhe rreziqeve nga konfliktet largohen nga shtëpitë e tyre dhe nëpërmjet vendeve të Ballkanit shpresojnë të arrijnë në vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore, kryesisht në Gjermani, ku siç thonë ata vetë, në këtë vend u ofrohen kushte më të favorshme për qëndrim dhe shumë prej tyre kanë familje që mund t’i ndihmojë ata.
Javën e kaluar, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë dakorduar që deri në vitin 2017 të pranojnë 20 mijë emigrantë, me qëllim të zgjidhjes së krizës së emigrantëve që ka përfshirë Evropën. Për secilin emigrantë vendi do të marrë 6.000 euro, të cilat janë të destinuara për kujdesin, strehimin dhe ushqimin. Kështu që, Kroacia ka vendosur të pranojë 500 emigrantë, Republika Çeke 1.900 emigrantë, Franca 9.100 emigrantë dhe Gjermania 12.100 emigrantë. Spanja dhe Austria fare nuk janë prononcuar për këtë çështje. Ekziston frika se në këtë mënyrë ky vendim nuk imponon një problem tek vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, të tilla si Turqia, Maqedonia dhe Serbia
Sa për ilustrim, numri i emigrantëve të cilët do t’i strehojnë vendet anëtare të BE-së (20.000), për vetëm njëzet ditë kishte kaluar nëpërmjet Maqedonisë dhe Serbisë, në përpjekje për të arritur në një nga vendet e BE-së.
