
Policia e Kosovës që nga orët e para të mëngjesit po zhvillon një aksion policor në veri të Mitrovicës lidhur me vrasjen e ish-politikanit serb Olivier Ivanoviq, raporton AA.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar për AA se është arrestuar një i dyshuar lidhur me vrasjen e Ivanoviqit, ndërkohë që i dyshuari i dytë ende është në kërkim.
“Operacioni ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar, zyrtar policor (R.B.), përderisa i dyshuari tjetër po ashtu pjesëtar policor mbetet në kërkim”, tha Kelani.
Kelani theksoi se gjatë operacionit policor është arrestuar edhe një person tjetër pasi i janë zbuluar armë dhe municion në shtëpi.
Politikani Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018 para selisë së partisë së tij e cila gjendet në veri të Mitrovicës. Ai ishte kryetar i iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.