Në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar, në qytetin e Prizrenit në Kosovë është arrestuar një shtetas i Turqisë, me dyshimin se është anëtar i organizatës terroriste FETO.
Në një njoftim nga Policia e Kosovës thuhet se “Në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar, është arrestuar personi i dyshuar, shtetas i Turqisë dhe me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje”.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, në një deklaratë për AA tha se shtetasi turk është ndaluar në Prizren me dyshimin për pjesëmarrje në organizatë terroriste.
“Dyshohet se personi është anëtar i organizatës terroriste si aktivist i Lëvizjes Gylen”, thotë Shala.
Ai bën të ditur se personi në fjalë vetëm është ndaluar në Prizren dhe se pastaj është dërguar në Prishtinë, duke shtuar se kompetent për rastin është Prokuroria Speciale.