Fillimi LajmeKomuna e Prishtinës dhe UNDP nënshkruajnë marrëveshje për restaurimin e Sahat Kullës

Komuna e Prishtinës dhe UNDP nënshkruajnë marrëveshje për restaurimin e Sahat Kullës

nga Shekulli Agency

Komuna e Prishtinës dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) kanë nënshkruar marrëveshje të përbashkët për restaurimin e njërit ndër monumentet më të rëndësishme të Prishtinës, Sahat Kullës.

Përfaqësuesja e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko tha se projekti përfshinë një numër religjionesh dhe kulturash të ndryshme në Kosovë.

Ajo tha se Sahat Kulla është shembull i arkitekturës utalitariane ndërsa bëri të ditur se përpos restaurimit të saj do të rregullohet edhe pjesa e rrugës përballë monumentit, për ta bërë më lehtë të qasshme për qytetarët.

“Sahat Kulla ka vlera të mëdha historike, kulturore dhe arkitekturore për Prishtinën dhe gjithë Kosovën. Ajo gjithashtu është shembull i arkitekturës utalitariane dhe vërtetë është me rëndësi që ajo të restaurohet. E di që për shumicën është pikë referimi ndërsa një pjesë nuk e ka vizituar ende. Ne dëshirojmë që ajo të bëhet e fortë dhe të qëndrojë për gjeneratat e ardhshme”, tha Suokko.

Për atë se çfarë do të përfshijë restaurimi në fjalë, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Ardian Berisha tha monumenti do të restaurohet në tërësi në shumicën prej elementeve të tij, pa i humbur origjinalitetin e kohës kur është ndërtuar.

“Projekti do të jetë bashkëfinancim në vlerë prej 120 mijë eurosh. Ne si Komunë kemi ndarë 70 mijë euro dhe pjesën tjetër UNDP-ja. Sa i përket intervenimit, do të ketë intervenim të brendshëm, pra brenda strukturës së Sahat Kullës dhe asaj të jashtme, ndërsa gjithsesi do të bëjmë që t’ia funksionalizojmë edhe akrepat e saj dhe do të ketë një intervenim gjithashtu edhe tek zebrat pranë monumentit në mënyrë që të ketë një ndërlidhje me dy monumente (me Xhaminë e Madhe dhe Hamamin e Madh) shumë të rëndësishme të cilat janë pjesë e zonës historike të Qytetit të Prishtinës”, tha Berisha.

Pranë Sahat Kullës ndodhen dhe shtyllat që mbajnë kabllot elektrike vetëm pak metra ballë monumentit ndërsa AA ka pyetur nëse do të ndërmerret diçka që ato të largohen për të vënë në pah bukurinë e monumentit edhe më shumë.

Drejtori Berisha tha se gjatë kohës së restaurimit të monumentit dhe rrugës pranë, do të kujdesen që ato të futen brenda në tokë.

Koha e restaurimit të monumentit, megjithëse mund të ketë ndryshime eventuale si shkak i motit apo problemeve tjera, parashihet të zgjasë 90 ditë.

Sahat Kulla u ndërtua në shekullin e XIX gjatë periudhës së Perandorisë Osmane.

Zakonisht çdo qytet në Perandorinë Osmane kishte nevojë për një Sahat Kullë në mënyrë që besimtarët të dinin kohën për të shkuar në xhami dhe kohën kur dyqanet do të hapeshin dhe mbylleshin.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies