
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në programin e Forumit Ekonomik Rajonal në Shkup ka deklaruar se përmes nismës së ashtuquajtur “Mini-Shenghen” duan të sjellin në këtë rajonin e Ballkanit Perëndimor shembullin e Bashkimit Evropian (BE) duke synuar jetësimin e katër lirive themelore të BE-së, respektivisht lirinë e lëvizjes së njerëzve, lëvizjes së mallrave, të kapitaleve dhe shërbime, raporton.
Në Shkup po mbahet Forumi Ekonomik Rajonal në hapjen e të cilit u adresuan kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri Rama. Tre liderët më vonë do të folin edhe në panelin e forumit me titull “Ballkani i lidhur”, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të 300 kompanive nga rajoni.
Në këtë ngjarje të sotme në Shkup pritet të emërohet iniciativa rajonale që deri tani jozyrtarisht është quajtur “Mini-Schengen”, si dhe pritet të nënshkruhen marrëveshje trilaterale të cilat sipas paralajmërimeve do të lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe komunitetit të biznesit në Ballkanin Perëndimorë.
Në fjalën e tij në hapjen e forumit, kryeministri Rama tha se “mozaiku i pjesëmarrjes është përtej tre vendeve tona”, përkatësisht Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Sipas tij, “pamja e këtij mozaiku” është e mjaftueshme për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj nisme.
“Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i të shkuarës në asnjë aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona, për të krijuar më shumë punë, për të hapur më shumë perspektiva me vende pune mirë të paguara, sidomos për të rinjtë, është i dënuar të jetojë në të shkuarën”, tha Rama.
Ai theksoi se këto tre vende duan të projektohen në të ardhmen përmes një nisme, e cila sipas tij nuk shpik asgjë të re, por “thjesht sjell në këtë rajon shembullin e Bashkimit Evropian (BE) duke synuar jetësimin e katër lirive themelore të BE-së, respektivisht lirinë e lëvizjes së njerëzve, lëvizjes së mallrave, të kapitaleve dhe shërbime”.
“Për çfarë arsye në botë ne duhet të presim të mbyllur brenda kufijve tanë me kurriz ndaj njëri tjetrit siç kemi ndenjur 500 vjet, ndërkohë që rrugëtimi i secilit vend drejt BE-së ka kohën, ritmin dhe kushtëzimin e vet jo thjesht nga çfarë bëjmë ne, por nga çfarë mendojnë të tjerët, sepse në fund të ditës në momentin që do të inkuadrohemi në BE do të bëjmë këtë që bëjmë ekzaksisht këtë që po bëjmë sot pa BE-në”, u shpreh kryeministri Rama.
Duke folur për kritikat ndaj nismës së liderëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, ai tha se kjo nismë është për të mirën e të ardhmes së rajonit.
“Kush thotë se kjo është një nismë e projektuar në podrumet e ish-jugosllovisë, për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t’i dhënë hegjemoninë Serbisë, se Serbia do të na marrë gjithçka kemi, e para jeton në një botë paralele, e dyta jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve. Dhe e treta, harron se po të nisemi kështu atëherë duhet të themi se edhe BE-ja është një Jugosllavi e madhe. BE-ja është një Jugosllavi e madhe, po kjo është Jugosllavi e vogël… por në fakt jo, kjo është një as më shumë as më pak, por krijimi i një hapësire që jeton me parimet, vlerat dhe mekanizmat e BE-së, ndërkohë që secili nga vendet po bën përpjekjet për tu integruar në BE”, tha Rama.
Ai po ashtu rikonfirmoi se për Shqipërinë kjo nismë është strategjike dhe do të vazhdojnë me këmbëngulje përpara.