Ministrja e Integrimeve e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha në një konferencë për media në lidhje me Strategjinë e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, e cila u publikua dje, deklaroi se Kosova është prapa me reformat e nevojshme në administratën publike, në drejtësi, arsim dhe ekonomi.
Ministrja Hoxha tha se kanë pritur më shumë dhe hapa më konkretë nga strategjia e BE-së e publikuar dje, duke theksuar se Kosovës i mbetet që t’i përfundojë detyrimet e saj drejt integrimit. Ajo tha se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi ka mbetur si kusht i vetëm për liberalizimin e vizave, që sipas saj, në një vlerësim më të hershëm të BE-së është konfirmuar se është plotësuar kushti tjetër që përmendet vazhdimisht nga zyrtarët e BE-së, që është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ajo tha se Kosova është prapa me reformat e nevojshme në administratën publike, në drejtësi, arsim dhe ekonomi dhe nuk mund të krenohet me planin e zbatimit të MSA-së. Hoxha tha se Kosova ka zbatuar vetëm 30 për qind të MSA-së, ndërkaq theksoi se nga 22 prioritetet e Axhendës Evropiane të Reformave (ERA) është plotësuar vetëm një pikë nga këto prioritete.
Hoxha tha se Kosova e ka rrugën e saj të ndarë nga Serbia në procesin e integrimit në BE, duke theksuar se kjo është një njohje e shtetësisë së Kosovës nga BE-ja përkundër mosnjohjës së saj nga disa shtete anëtare të Unionit.
“Gjithashtu është shumë pozitive që BE kërkon kategorisht nga Serbia dhe BE të arrijnë një marrëveshje juridike të detyrueshme si parakusht për anëtarësimin e tyre në BE. Kjo e detyron Serbinë që t’i japë fund politikës bllokuese ndaj Kosovës dhe ta njohë edhe juridikisht realitetin politik që Kosova është shtet i pavarur”, tha Hoxha.
Ndërsa për çështjen e ratifikimit të demarkacionit, Hoxha tha se kjo nuk është çështje fqinjësore por është çështje e brendshme e Kosovës. Ajo tha se duhet të gjendet konsensusi politik që të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës sa më parë që është e mundur.
“Me ratifikimin e demarkacionit Republika e Kosovës menjëherë do ta gëzojë lëvizjen e lirë. Por, ne duhet t’i përfundojmë obligimet tona ndërkombëtare. Qeveria është e përkushtuar, të gjitha insitucionet janë të përkushtuara që të gjejnë një zgjidhje. Besoj që në javët në vijim do të ketë një lëvizje për këtë sepse koha po kalon. Ne duhet ta zëmë hapin që viti 2018 të jetë vit i lëvizjës së lirë për qytetarët tanë”, tha Hoxha.