Fillimi PolitikëZv/ministri turk i Drejtësisë Uçar vizitë në Kosovë

Zv/ministri turk i Drejtësisë Uçar vizitë në Kosovë

nga Shekulli Agency

Zëvendësministri i Drejtësisë i Republikës së Turqisë, Bilal Uçar në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, sot në takime të ndara ka takuar ministrin e Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri dhe kryeprokurorin e Shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi, transmeton (AA).

Në një komunikatë nga Ministria e Drejtësisë thuhet se ministri i Drejtësisë, Tahiri sot ka pritur në takim zv/ministrin e Drejtësisë të Republikës së Turqisë, Bilal Uçar. Gjatë këtij takimi njoftohet se ministri Tahiri ka falënderuar zv/ministrin turk Uçar për mbështetjen që Republika e Turqisë ka dhënë për Kosovën, duke shprehur gatishmërinë e plotë për të kultivuar edhe më tutje marrëdhëniet e mira ndërshtetërore.

Nga ana tjetër në një komunikatë nga Prokuroria e Shtetit njoftohet se kryeprokurori Aleksandër Lumezi sot ka pritur në takim një delegacion të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Turqisë të kryesuar nga zv/ministri Uçar. Në këtë takim njoftohet se ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç.

Duke falënderuar zëvendësministrin Uçar për ndihmën që shtetit turk në vazhdimësi po e jep për sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, Lumezi ka vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm të dy vendeve në fushën e sistemit prokurorial dhe ka shprehur gatishmërinë e thellimit të këtij bashkëpunimi.

Kryeprokurori Lumezi ka thënë se ngritja e bashkëpunimit në fushën juridike – ndërkombëtare, do të jetë e dobishme për dy vendet në luftën e përbashkët të dukurive kundërligjore të nivelit vendor, rajonal dhe më gjerë.

Në anën tjetër, zëvendësministri Uçar ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes për sistemin prokurorial të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve profesionale të prokurorëve dhe në fusha tjera që mund të paraqiten si të nevojshme.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies