Policia e Turqisë ka arrestuar ish sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Gjykatësve dhe Prokurorëve (HSYK) Mehmet Kaya, i akuzuar për lidhje me organizatën terroriste FETO, raporton (AA).
I arratisuri Kaya është arrestuar gjatë operacionit të zbatuar herët në mëngjes në provincën tyrke të Çanakkalasë.
Policia e Turqisë me urdhër të prokurorit në procedurë, ka bastisur mëngjesin e sotëm dhjetë lokacione të ndryshme, në kuadër të një hetimi për infiltrimin e elementeve të FETO-s brenda institucioneve gjyqësore.
Siç bëhet e ditur, Kaya është zbuluar në njërin nga këto lokacione, pas çka u është dorëzuar organeve shtetërore për procedim të mëtejmë.
Me në krye Fethullah Gülen, organizata terroriste FETO u përpoq të kryejë grusht shtet ushtarak në Turqi në korrik të vitit 2016 përmes ithtarëve të saj të infiltruar brenda institucioneve, ku të paktën 250 persona ranë dëshmorë. Turqia më pas nisi një luftë masive kundër kësaj organizate që ishte krijuar dekada më parë dhe nën petkun e programeve fetare ka abuzuar me ndjenjat fetare të njerëzve me qëllim të realizimit të planeve terroriste.
Tentativa është kryer nga ithtarët e infiltruar të FETO-s në institucionet e shtetit, ndërsa ish zyrtari i HSYK-ut, Kaya vlen për njërin nga anëtarët më të theksuar të organizatës i cili edhe pas tentativës, organizoi takime të fshehta me pjesëtarët e FETO-s brenda gjyqësorit.
Ish anëtari i HSKY-së, Kerim Tosun, gjithashtu i akuzuar për pjesëmarrje në FETO, gjatë hetimeve pranoi se pikërisht përmes Kaya-s ka hyrë në FETO, ndërkohë që kishte marrë pjesë edhe në takimet e fshehta të kësaj organizate në shtëpinë e Kaya-s.