Fillimi LajmeForcat irakiane marrin pikat strategjike në Kirkuk

Forcat irakiane marrin pikat strategjike në Kirkuk

nga Shekulli Agency

Forcat irakiane të sigurisë morën kontrollin e një numri të madh të pikave strategjike në Kirkuk në veri të Irakut pas tërheqjes së forcave peshmerge, pasi nisën një operacion për marrjen e puseve të naftës dhe bazave ushtarake në këtë qytet.

Me tërheqjen e forcave ushtarake peshmerge të Bashkimit të Patriotëve të Kurdistanit (KYB) nga jugu i Kirkukut, ushtria irakiane dhe forcat policore federale që mbështesin atë janë vendosur në pozicionet e braktisura dhe kanë siguruar kontroll në rrugët kryesore me autoblinda.

Ndërkohë, flamujt e Administratës Rajonale Kurde të Irakut (ARK) në jug të Kirkukut janë ulur nga ana e policisë federale.

Nga ana tjetër, thuhet se forcat Hashdi Shabi të sponsorizuara nga qeveria ende nuk kanë hyrë në qytet.

Aktualisht, forcat peshmerge mbajnë nën kontroll rrugët që çojnë në Erbil dhe Sulejmanije. Megjithatë, siç shihet, luftime kanë shpërthyer në Frontin Mekteb Halid në perëndim të qytetit, ndërsa tymi ka përfshirë rajonin në fjalë.

Në qytet është duke mbretëruar një kaos, teksa dyqanet janë mbyllur, ndërsa punëtorët nuk kanë shkuar dhe shkollat janë mbyllur, edhe pse është ditë pune.

Disa kurdë janë zemëruar me tërheqjen e papritur të peshmergave dhe kanë kapur armët në dorë, duke dalë në rrugë. Ndërkaq, siç u pa, disa qytetarë përmbysën tanket e peshmergave që po ktheheshin në Sulejmanije.

Për shkak të mjedisit kaotik të krijuar, disa familje të Kirkukut kanë fillur të lëvizin në drejtim të Erbilit dhe Sulejmanijes.

Ndërkaq, qetësia ka mbizotëruar në lagjet e turkmenëve në këtë qytet dhe godinat partiake të tyre. Disa turkmenë kanë vendosur të presin në gatishmëri në godinat partiake dhe rrugët e tyre në rast të ndonjë kaosi të mundshëm.

Po ashtu, disa militantë të PKK-së, të cilët kanë blerë armë të rënda nga peshmergat, vërehen teksa sillen vërdallë me vetura të tipit “Hummer” dhe me armë në dorë në qendër të qytetit. Theksohet se disa pjesëtarë të PKK-së janë duke qëndruar në disa rrugë në qendër, nga të cilat janë tërhequr peshmergat, ndërsa u japin direktiva kurdëve që vullnetarisht kanë kapur armët.

Ushtria irakiane dhe forcat e policisë federale, duke përparuar nga jugu, në orët e para të mëngjesit morën në kontroll Bazën Ushtarake K1, fushën e naftës Baba Gurgur, Kompaninë Veriore të Naftës të Kirkukut dhe bazën ushtarake në Brigadën e 70-të të Bashkimit të Patriotëve të Kurdistanit.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies