Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të çelësave të banesave të ndërtuara nga vendi i tij në qytetin e Laçit për të dëmtuarit nga tërmeti i vitit 2019 në Shqipëri, tha se me këtë projekt, u kurorëzua miqësia midis dy vendeve, raporton (AA).
Duke folur në ceremoninë e dorëzimit të banesave të tërmetit të ndërtuara nga Agjencia e Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI), Erdoğan tha se sot po dorëzojnë ndërtesat që përfshijnë 522 njësi banimi, që kanë kushtuar rreth 42 milionë euro.
“Sot jua solla përshëndetje dhe dashuri nga miliona zemra. Jua solla përshëndetjet e vëllezërve dhe miqve tuaj, zemra e të cilëve rrah bashkë me ju. Po jua përcjell përshëndetjet e përzemërta të popullit tim të nderuar për Shqipërinë dhe të gjithë vëllezërit shqiptarë”, theksoi Erdoğan në hapje të fjalës së tij.
“Gëzimi i Shqipërisë është edhe gëzim i yni, dhe shqetësimi i saj është edhe shqetësim i ynë”, theksoi presidenti turk, duke shtuar se tërmeti i vitit 2019 në Shqipëri i ka tronditur në zemër edhe ata.
Ai rikujtoi se pas tërmetit, u mobilizuan menjëherë për të ndarë dhimbjen dhe për të shëruar plagët e popullit shqiptar, duke i aktivizuar të gjitha kapacitetet për të vrapuar në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.
“Siç ka thënë edhe vëllai im Edi Rama, ne jemi vëllezër dhe vëllai nxiton për vëllanë në ditë të vështira”, tha Erdoğan.
“Fakti që Turqia është vendi i parë që i erdhi në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit, është treguesi më i madh i solidaritetit të fortë mes nesh”, shtoi ai.
Presidenti Erdoğan uroi që përfituesit t’i gëzojnë banesat, duke u shprehur i lumtur që arritën ta mbajnë fjalën e dhënë për Shqipërinë.
“Edhe pse ne si Turqi u përballëm me tërmete, përmbytje dhe fatkeqësi zjarresh në këtë proces, falënderoj Allahun që përmbushëm premtimin tonë ndaj Shqipërisë dhe ndaj juve. Tani theksoj se shenjë e vëllazërisë nuk është që vëllai të vijë kur të thirret, por të vijë vetvetiu kur nevojitet. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë jush në çdo moment me këtë bindje. Shpresoj që miqësia midis Turqisë dhe Shqipërisë, të cilën e ndërtuam mbi këtë themel unik, do të vazhdojë përgjithmonë”, deklaroi Erdoğan.
Presidenti turk rikujtoi po ashtu se shembull tjetër i këtij solidariteti është edhe Spitali Rajonal i Fierit i ndërtuar në prill të vitit të kaluar brenda 68 ditësh. Ai theksoi se ky spital u emërua si Spitali i Miqësisë Turqi-Shqipëri për të reflektuar më së miri lidhjet e forta midis dy vendeve.
“Dhe tani, me inaugurimin e banesave të tërmetit, ne po kurorëzojmë miqësinë Turqi-Shqipëri”, potencoi Presidenti i Turqisë.
Pas fjalës së tij, Erdoğan së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama dorëzuan çelësat për disa nga të prekurit e tërmetit, të cilët falënderuan presidentin turk.
Gjatë ceremonisë, presidenti turk u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Kurbinit” për solidaritetin e ndihmën në ditët më të vështira për Kurbinin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në procesin e rindërtimit.
Gjithashtu, nga sot, sheshi i lagjes së re, në qytetin e Laçit, do të mbajë emrin e presidentit Erdoğan me emrin “Sheshi Erdoğan”, në shenjë mirënjohje dhe respekti për mbështetjen dhe kontributin e madh që presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka ofruar në procesin e rindërtimit pas tërmet tragjik.
