Pas formimit të Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, do të mundësojë që “populli serb të marrë fatin e vet në duart e tij, në një masë shumë më të madhe se sa ka qenë rasti deri më tani”
Drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Republikës së Serbisë, Marko Gjuriç, pas takimit me kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe, deputetët serbë dhe anëtarët e qeverisë në Prishtinë dhe përfaqësues të Listës “Srpska”, ka thënë se marrëveshja e Brukselit pas formimit të Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, do të mundësojë që “populli serb të marrë fatin e vet në duart e tij, në një masë shumë më të madhe se sa ka qenë rasti deri më tani”.
Gjuriç theksoi se hapat e parë të implementimit të marrëveshjes fillojnë të hënën, kur industria e energjisë elektrike të Serbisë do të dorëzojë dokumentacionin për krijimin e dy kompanive të saj në Kosovë, si dhe aplikimin e “Telekom Serbia” për regjistrimin e kompanisë së saj, kurse afati i fundit për harmonizimin e Asociacionit është katër muaj.
Gjuriç tha se kishte biseduar edhe me Presidentin e entitetit të Republikës Srpska në BeH, Milorad Dodik dhe shtoi se përveç Qeverisë së Serbisë edhe RS qëndron plotësisht pas çdo gjëje që është rënë dakord.
“Për ne është me rëndësi që RS të ndihmojë popullin serb në Kosovë, dhe është zotuar se do ta bëjë këtë. Situatën specifike të krahinës sonë nuk mund ta krahasoj me asgjë tjetër në botë, sepse RS, në aspektin ligjorë është territor i një shteti tjetër, kurse Kosova është pjesë e shtetit tonë”, theksoi Gjuriç.
Ai theksoi se në këtë moment është shumë e rëndësishme që të qetësohen tensionet në Kosovë dhe se Serbia për popullin e saj ka arritur marrëveshje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të mirë.
“Tani është momenti që ti kthehemi normalizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve, pajtimit dhe punës sistematike dhe të përkushtuar për të përmirësuar marrëdhëniet me shqiptarët, me energji të njëjtë me të cilën ne po punojmë në ndërtimin e institucioneve tona”, ka thënë Gjuriç.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviç, vlerësoi ekipin negociator serb, sipas tij për rezultatet shumë të mira. “Ky është një rezultat serioz për ne, pas kësaj ne kemi një mekanizëm të mirë në duart tona, i cili nga ana tjetër është detyrues. Ne na detyron që të punojmë më shumë dhe më mirë, unitetin që kemi sot ta ndërtojmë që të jetë më i mirë dhe më funksional, dhe e gjithë kjo për të mirën e njerëzve që jetojnë atje poshtë”, tha Stojanoviç.
Kryetari i grupit parlamentar të Listës “Srpska”, Slavisha Simiç, tha se ekipi i Serbisë në Bruksel tregoi se me dialog konstruktiv mund të arrihen zgjidhje të mira për komunitetin serb.
