Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas pushimit prej gjysmë ore që e dha për shkak të bllokimit të opozitës, ka qenë i detyruar të ndërpresë seancën
Seanca e Kuvendit të Kosovës edhe sot është ndërprerë për shkak të bllokadës të deputetëve të opozitës, e cila kërkon tërheqjen e nënshkrimit të kryeministrit kosovar, Isa Musfafa nga marrëveshja e arritur në Bruksel me Serbinë më 25 gusht të këtij viti.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas pushimit prej gjysmë ore që e dha për shkak të bllokimit të opozitës, ka qenë i detyruar të ndërpresë seancën, sepse opozita përsëri ka qëndruar para foltores së Kuvendit, duke mos lejuar punën normale të këtij institucioni.
Ai ka thënë se as nesër nuk do të paralajmërojë seancën e Kuvendit, por javën e ardhshme kryesia e Kuvendit do të vendos se si do të veprojë më tej. Veseli njëkohësisht paralajmëroi se do të mbajë konferencë për mediat.
Konferencë për mediat ka paralajmëruar edhe opozita e bashkuar kosovare, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Në fillim të seancës së sotme, Glauk Konjufca, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, duke qëndruar para kryetarit të Kuvendit dhe duke folur në mikrofonin e tij, deklaroi se opozita nuk do të lejojë punën e Kuvendit, përderisa nuk tërhiqet nënshkrimi për marrëveshjen e arritur në Bruksel.
Të martën e kaluar opozita gjuajti me vezë kryeministrin, Isa Mustafa, gjatë fjalimit të tij në lidhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel më 25 gusht me Serbinë, ndërsa duke qëndruar tek foltorja opozita bllokoi punën e Kuvendit, e cila për shkak të kësaj u ndërpre.
Deputetët e koalicionit qeveritar sot kanë mundur të flasin vetëm nga ulëset e tyre, sepse deputetët e opozitës nuk kanë lejuar të dalin në foltore. Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci sjelljen e opozitës e vlerësoi si cenim të të drejtës ndaj shumicës nga ana e pakicës. Ai ka kërkuar se deputetëve duhet t’iu mundësohet të shprehin qëndrimin e tyre.
Opozita, e cila është kundër arritjes së marrëveshjeve dhe posaçërisht kundër marrëveshjes për formimin e “Zajednica”-s për komunat me shumicë serbe në Kosovë, ka nisur edhe peticion për mbledhjen e nënshkrimeve, në të cilin deri më tani janë nënshkruar më shumë se 100.000 qytetarë.