Mediat kosovare raportojnë se fëmija u qëllua për vdekje në momentet derisa po hante ushqimin në një lokal kur ndodhën të shtënat me armë zjarri.
Fëmija 9-vjeç Ylber Malaj u vra mbrëmë nga të shtënat e armëve në një lokal në fshatin Strellc i Epërm, afër Deçanit. Policia e Kosovës tha se ka arrestuar një të dyshuar, i cili për arsye të panjohura ka qëlluar me armë në drejtim të një lokali, i cili në atë kohë kishte disa njerëz.
“Nga shkëmbimi i zjarrit, viktima, djaloshi 9 vjeçar pësoi lëndime të rënda nga të cilat më vonë vdiq”, thuhet në kumtesën e policisë.
Mediat kosovare raportojnë se fëmija u qëllua për vdekje në momentet derisa po hante ushqimin në një lokal kur ndodhën të shtënat me armë zjarri, të cilat u paraprinë nga një zënkë mes dy personave.
Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe konfiskuar një armë automatike AK-47, një karikator të zbrazët dhe 15 predha të kalibrit 7.62 mm. I dyshuari u arrestua me urdhër të prokurorit.
Kjo është tragjedia e dytë brenda një javë në të njëjtin fshat, pasi javën e kaluar u gjet e vrarë 24-vjeçarja Donjeta Pajaziti, e cila disa javë llogaritej si e zhdukur.