Edhe sot u raportua në media se BDI-ja pritet të përballet me ndarje të thella dhe me fraksione të cilat do të formojnë parti të re, ndërsa në lidhje me këtë raportohet se ka reaguar edhe vetë kreu i kësaj partie.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, citohet të ketë përgënjeshtruar zërat për fraksione apo përçarje të mundshme në BDI. “Nuk ka përçarje në BDI, ka mendim ndryshe dhe të lirë. BDI është familje e madhe”, citohet të ketë thënë Ahmeti gjatë pjesëmarrjes në koktejin e organizuar sot në Shkup në shënimin e 14 vjetorit të MO-së.
Siç duket, “mendimet ndryshe” që kishin përfundim tragjik, duke vënë theksin te vrasja e Komandant Shqiponjës në Kumanovë nga i emëruari i Ali Ahmetit për postin e ushtruesit të detyrës së kryetarit të degës së BDI-së në Kumanovë, nuk i kanë bërë ndonjë përshtypje kreut të kësaj partie, dhe ai siç duket vazhdon t’i quan edhe këto raste tragjike “mendime ndryshe dhe të lira”.
Për fund, ndoshta edhe tërheqjet e disa funksionarëve të partisë, duke përfshirë këtu edhe tërheqjen e ish zëvendësministrit të Mbrojtjes, Arben Llabënishtit, nga të gjitha postet e tija si shkak i pakënaqësisë së tij ndaj udhëheqësish së partisë, duhej të ishte një sinjal alarmues për vetë Ahmetin, por edhe për mbarë opinionin se brenda BDI-së ka diçka më shumë se thjeshtë shprehje të mendimit të lirë dhe mendimit ndryshe.
