Fillimi LajmeBotaBESA: Unifikim përmes këshillit mbipartiak

BESA: Unifikim përmes këshillit mbipartiak

nga Shekulli Agency

Besa-111-887333594_74483

Të nderuar qytetarë të Maqedonisë,

Lëvizja BESA, sot është këtu që ta hapë një derë të re të bashkëpunimit opozitar.

Këshilli Qendror i Lëvizjes BESA në mbledhjen e fundit, ka dalë me vendimin që të dilet me ofertën për një platformë opozitare, që parashikon ndërtimin e një fronti të përbashkët opozitar me të gjitha forcat progresive në vend, që kjo strukturë e BDI-së, përfundimisht të largohet nga skena politike shqiptare në Maqedoni.

Ideja është që me iniciativë, e theksojmë vetëm me iniciativë, pra pa kurrfarë patronazhi të Lëvizjes BESA, të iniciohet themelimi i një këshilli mbipartiak, në të cilin BESA do të jetë një ndër subjektet bartëse, ndërsa në të do të bëjnë pjesë më shumë subjekte politike opozitare, por edhe më shumë OJQ, si edhe intelektualë të pavarur, analistë e opinionbërës, por edhe afaristë, artistë, sportistë etj., pra të gjithë që duan ta shpëtojnë kombin nga kjo strukturë degraduese në Maqedoni.

Nga dita e sotme Lëvizja BESA këtë iniciativë do t’ua ofrojë të gjitha subjekteve opozitare shqiptare në Maqedoni, si dhe subjekteve e personaliteteve të tjera, që sa më shpejtë të arrihet të konstituohet ky këshill, i cili bashkërisht do të zgjedhë një kryesues dhe do të artikulojë një platformë, me të cilën do të synohet pjesëmarrja në zgjedhje.

Lëvizja BESA i qaset kësaj iniciative me vullnet që të artikulohet dhe mobilizohet sa më fuqishëm zëri opozitar, pa pretendime të veçanta për përfitime të kujtdoqoftë. Për neve nuk janë më të rëndësishme se si bëhen listat e deputetëve dhe kush janë pushtetarët e ardhshëm, sa është e rëndësishme që më 24 prill 2016 të përfundojë ky lloj i përfaqësimit politik i shqiptarëve nga ana e BDI-së. Derisa jemi në gjendje emergjente që ta shpëtojmë kombin nga kjo e ligë, jemi në gjendje të bashkëpunojmë me secilin – kushdoqoftë ai – mjafton ta ketë këtë ideal dhe këtë dëshirë.

Për këtë arsye, i ftojmë të gjithë shqiptarë vullnetmirë, të gjitha partitë që e ndjejnë veten larg këtij subjekti politik, të gjitha OJQ-të, por edhe të gjithë intelektualët, artistët e opinionbërësit shqiptarë, që t’i përgjigjen kësaj thirrje dhe të ndihmojnë të ndërtohet një koalicion i shpresës dhe shpëtimit kombëtar shqiptar.

Sot jemi para barrës dhe përgjegjësisë historike për shpëtimin e kombit, andaj jemi të detyruar të mobilizohemi dhe angazhohemi, që të kemi çfarë t’i lëmë pas gjeneratës që vjen pas nesh.

Prej sot për qytetarët e Maqedonisë fillon një betejë e re – ta mundin krimin, ryshfetin, tradhtinë dhe pabesinë.

Prandaj, ejani! Edhe nëse keni qenë dikur në BDI – ejani, edhe nëse dikur keni qenë në PDSH – ejani, edhe nëse keni qenë në ndonjë parti tjetër – ejani, edhe nëse jeni në OJQ – ejani, edhe nëse e ndjeni veten i pavarur – ejani, kudo që të keni qenë e të jeni – ejani./levizjabesa.mk/

Erdhi dita, prandaj ejani të bashkohemi!

 

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies