Mbrëmjen e djeshme dhe mëngjesin e sotëm, dy krerët e qeverisë kanë zhvilluar takime intensive lidhur me procesin e reformës në drejtësi.
Mësohet se gjatë këtyre takimeve, kreu i LSI-së, Ilir Meta i ka kërkuar Edi Ramës që t’i dërgojnë Komisionit të Venecias drafte të ndryshme.
Sipas burimeve, LSI, por edhe PD nuk janë dakord me draftin e paraqitur nga Partia Socialiste. Për këtë arsye ato do të punojnë për t’i propozuar Komisionit të Venecias draftet e tyre.
Partia Demokratike ka qenë e para që ka dalë kundër draftit të PS-së. Ndërsa LSI dhe kreu i saj Ilir Meta, ka thënë se reforma në drejtësi nuk do të miratohet pa konsensusin e PD-së, duke lënë të nënkuptohet se drafti i PS-së nuk do të mbështetet nga LSI.