Fillimi LajmeBallkaniEkipet nga Turqia vazhdojnë të ofrojnë ndihmë në zonat e përmbytura të Shkupit

Ekipet nga Turqia vazhdojnë të ofrojnë ndihmë në zonat e përmbytura të Shkupit

nga Shekulli Agency

kot-shkupPas katastrofës së përmbytjeve të 6 gushtit në disa vendbanime të rrethinës së Shkupit, organizatat turke edhe pas dy javëve vazhdojnë të jenë prezente për të ndihmuar banorët e prekur nga përmbytjet. Pamjet e Anadolu Agency (AA) tregojnë se situata në këto vendbanime të prekura nga përmbytjet vazhdon të mbetet e vështirë. Gati të gjitha shtëpitë janë të pastruara nga balta, por dëmet materiale vërehen në secilën dhomë të shtëpive, ndërsa pajisjet e prishura nga shtëpitë dhe mbeturinat e mbetura ende qëndrojnë nëpër oborret e shtëpive.

Njëra nga këto shtëpi është edhe ajo e 77 vjeçares, Pançiq Vukosava, e cila jeton e vetme në shtëpinë e saj, pa burrë dhe pa fëmijë. Ajo për AA theksoi se deri në ditën e djeshme ka jetuar në baltë, por fal ekipit turk i cili arriti të pastrojë shtëpinë e saj, sot i është kthyer buzëqeshja në fytyrë.

“Ndihma e vetme ishte ushtria dhe fqinjët të cilët arritën të largojnë ujin nga shtëpia, por balta mbeti brenda. Më tepër që më ka ndihmuar është ekipi turk për të cilët nuk kam fjalë se si të shpreh falënderimet. Ata më thanë se do të vijnë, nuk u besova, por sinqerisht erdhën dhe punuan me devocion. Deri dje shtëpia ishte e tëra me baltë, po të mos ishin turqit unë ende do të jetoja në baltë dhe do të çmendesha”, u shpreh Vukosava, duke shtuar se të angazhuarit lokal nuk donin t’i ndihmonin dhe iu shmangnin asaj.

Ndërkaq, një fqinj i gruas së vetmuar 77 vjeçare, Biljana Kolevska, tha se këto 20 ditë pas përmbytjeve kanë kaluar periudhën më të vështirë të jetës së tyre.

“Në këtë shtëpi të vetmit që kanë ndihmuar janë ushtria të cilët kanë larguar ujin nga brenda, por kaluan disa ditë dhe askush nuk u kthye të ndihmojë. Rastësisht kalova në shtabin e ndihmave nga Turqia të cilët më premtuan se do të kalojnë dhe do tëpastrojnë shtëpinë. Mëngjesin e ditës së nesërme u befasova kur pashë ekipin turk duke pastruar shtëpinë”, u shpreh Kolevska.

Nga ana tjetër, anëtar i Shtabit të Krizës, Xhelal Ajdini, theksoi se që nga dita e parë pas vërshimeve, ndihma në pajisje, personel dhe në mjete financiare kanë ardhur nga të gjitha anët, si nga brenda vendit, ashtu edhe nga jashtë. Ai theksoi se tashmë gjithçka është afër normalitetit, mirëpo kanë mbetur vetëm një numër i vogël i shtëpive të cilat deri më tani nuk u është ofruar ndihma e duhur.

“Ndihmat nga Turqia prej ditës së parë ndodhen këtu. Më konkretisht nga Turqia më tepër kemi ndihmë në personel, ata kryejnë pastrimin ku ka nevojë. Diku ka pasur nevojë 100 përqind të pastrohet, diku më pak, por ata gjithkund kanë ndihmuar, pasi që ata kanë edhe makineri më të forta dhe moderne për pastrim”, deklaroi Ajdini për AA.

Ajdini bëri të ditur se Turqia gjithmonë ka qenë prezente në vendbanimet e përmbytura, duke ndihmuar me pajisje, personel, por edhe me ushqim dhe mjete higjienike. Ai shtoi se ndihmat nga Turqia janë ndarë në dy pjesë, ata nga Stambolli veprojnë në njërën pjesë të vendbanimeve të përmbytura, ndërsa ata nga Bursa në anën tjetër.

Si pasojë e stuhisë së fortë të mbrëmjes së 6 gushtit, e cila shkaktoi përmbytje në disa vendbanime të rrethinës së Shkupit dhe dëme të mëdha materiale, humbën jetën 22 persona, ndërkohë që një fëmijë 16 muajsh ende mbetet i zhdukur.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies