Pas dekretimit me moton “Fillojmë”, para një numri të madh të zyrtarëve dhe të pranishmëve të kësaj partie, filloi edhe promovimi i Shtabeve Zgjedhore
(AA) Shkup – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, sot në Shkup dekretoi si shefin e Shtabit Qendror Zgjedhor të BDI-së, Bekim Nezirin, për zgjedhjet parlamentare të 24 prillit të vitit 2016. Në të njëjtën kohë u morën vendimet dhe parimet e fushatës për emërimin e kryetarëve të 34 shtabeve komunale në të cilën përfshihen rreth 1 mijë anëtare.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në fjalën e tij para të pranishmëve deklaroi se me formimin e këtij shtabi sot kalohet nga dimensioni programor tek ai organizativ dhe me këtë siç tha ai, bëhen gati për betejën e radhës zgjedhore për të dalë fitimtarë.
“Strukturat e partisë sonë shtrihen në terren në dimensionin horizontal kudo në gjashtë zonat të Republikës së Maqedonisë, pa harruar edhe diasporën. Ndërsa në dimensionin vertikal do të kemi një njësi të posaçme edhe në nivelin e qendrave të votimit”, deklaroi Ahmëti.
Pas dekretimit me moton “Fillojmë”, para një numri të madh të zyrtarëve dhe të pranishmëve të kësaj partie, filloi edhe promovimi i Shtabeve Zgjedhore. Shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor, Bekim Neziri, pranoi me kënaqësi detyrën e cila iu dorëzua solemnisht nga kreu i BDI-së, si dhe theksoi se të gjithë së bashku do të ndërtojnë dhe avancojnë strategjinë e partisë drejt një fitore më të fortë për popullin shqiptar.
“Ju garantoj se do të bëj gjithçka që asnjëherë mos të ju zhgënjej. Këtu para jush zotohem në tërësi dhe i pranoj principet e vendimet tuaj, të cilën sot ma dorëzuar solemnisht”, u shpreh ai.
Ai bëri të ditur se Shtabet Zgjedhore të BDI-së numërojnë rreth 15 mijë aktivistë të cilët siç tha ai, janë të gatshëm të marrin mbi supe sfidën e radhës me fitore plebishitare më 24 prill të vitit 2016./Anadolu Agency/