Fillimi LajmeAktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Veseli

Aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Veseli

nga Shekulli Agency

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) aktakuzë në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe persona të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat vrasje të paligjshme, zhdukje të detyruar të personave, përndjekje dhe tortura”.

Siç bën të ditur nëpërmjet një njoftimi Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë të Holandës, në aktakuzë pretendohet se presidenti Thaçi dhe kreu aktual i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Veseli, dhe të dyshuar të tjerë, janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, ndërsa këto krime sipas të njëjtit burim, përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë, romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë të tyre.

“Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, shkruan në njoftim.

Tutje theksohet se njoftimi i opinionit publik rreth akuzave në fjalë është gjykuar si i domosdoshëm për t’u publikuar nga Prokurori i Specializuar “për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Thaçit dhe Veselit në pengimin dhe sabotimin e Dhomave të Specialiuzara të Kosovës”.

“Besohet se Thaçi dhe Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë. Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë. Ato kanë seli në Hagë të Holandës, ndërsa personeli i tyre është ndërkombëtar.

Anadolu Agency

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies