Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër pesë të pandehurve për sulmin ndaj Konsullatës së Përgjithshme Turke në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër pesë të pandehurve për sulmin ndaj Konsullatës së Përgjithshme Turke në Prizren, transmeton AA).
Në një njoftim nga Zyra e Prokurorit të Shtetit thuhet se aktakuza ndaj të pandehurit I.S., Eg.S., B.S.,Ed.S. dhe B.B., që të gjithë nga Prizreni, është ngritur për shkak se si bashkëkryerës kanë kryer veprat penale “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
“Sipas aktakuzës të pandehurit akuzohen se më datë 28 nëntor 2016, në cilësi të bashkëkryerësve kanë kryer një sulm të dhunshëm mbi objekte zyrtare të një personi nën mbrojtje ndërkombëtare, kur akti i tillë ka gjasë të rrezikojë personin ose lirinë e tij. Po ashtu, të pandehurit në cilësi të bashkëkryerësve kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe pasurisë, pasi që kanë gjuajtur me koktej molotovi dhe me kubëza betoni në drejtim të Konsullatës Turke, me ç’ rast është shkaktuar zjarri në ndërtesë, dhe ka pasur gjasë të madhe të rrezikojnë lirinë e Konsullit dhe personave të tjerë në atë Konsullatë”, thuhet në njoftim nga Prokurori i Shtetit.
Ndryshe, më 28 nëntor të vitit 2016, në ditën e Festës së Flamurit, kishte ndodhur një sulm me koktej molotovi dhe me kubëza betoni ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren dhe më pas pesë persona ishin arrestuar. Ky sulm kishte ngjallur reagime të shumta nga krerë të lartë shtetërorë të Kosovës.