Fillimi Lajme“Ajo është e lumtur, por më shqetëson urrejtja”

“Ajo është e lumtur, por më shqetëson urrejtja”

nga Shekulli Agency

Svante Thunberg, babai i aktivistes 16-vjeçare Greta Thunberg, konsideron të gabueshme idenë që vajza e tij u bë një nga figurat udhëheqëse të lëvizjes botërore për mbrojtjen e mjedisit.

Ai në një intervistë për BBC tha se nuk ka mbështetur mungesën e vajzës nga mësimi për t’ju bashkuar grevës kundër ndryshimeve klimatike.

Më tej tha se Greta është shumë më e lumtur që kur u bë aktiviste, por shtoi se shqetësohet për shkak të urrejtjes me të cilën ballafaqohet tani.

“Ju mendoni se nuk është e zakonshme sepse është shumë e famshme. Por për mua ajo është një fëmijë i zakonshëm që mund të bëjë gjithçka që bëjnë të tjerët. Ajo vallëzon, qesh shumë dhe ne argëtohemi shumë. Ajo është në një vend shumë të mirë”, zbuloi babai i saj.

Po ashtu tha se veçanërisht e shqetësojnë “lajmet e rreme dhe gjithçka tjetër që njerëzit përpiqen të shpifin për të”, si dhe urrejtja të cilën e shkakton kjo.

“Megjithatë, ajo ia del shumë mirë. Sinqerisht, nuk e di si, por për të gjithë kjo është qesharake”, theksoi Thunberg.

Ai zbuloi se me një rast adoleshentja kishte akuzuar prindërit, të cilët edhe vetë mbështesin mbrojtjen e të drejtave të njeriut, se janë “dyfytyrësh”.

“Pasi çështjen klimatike nuk e kapëm me seriozitet, ajo na pyeti: “’Cilat të drejta i mbroni?'”, tha Svante Thunberg.

Ai theksoi se të gjithë familjarisht filluan të ndërmarrin aktivitete në pajtim me mjedisin, se gruaja e tij ndaloi të udhëtonte me aeroplan, ndërsa ai u bë vegjetarian, gjë që, siç tha, e inkurajoi Gretën.

“Çdo gjë që bëja, e dija se ishte e drejtë … Por unë nuk e bëra atë për të mbrojtur klimën, por fëmijën tim. Unë kam dy vajza dhe, për të qenë i sinqertë, vetëm ato janë të rëndësishme për mua. Unë dua që ato të jenë të lumtura”, tha Thunberg.

Ai shprehu shpresë se gjërat do të bëhen më pak intensive për familjen e tij me kalimin e kohës, dhe ai mendon se Greta me të vërtetë dëshiron të kthehet në shkollë.

Gjithashtu tha se Greta së shpejti do të mbush 17 vjeç dhe se ajo nuk do të kishte më nevojë për shoqërimin e tij ndërsa udhëtonte.

Greta Thunberg në gusht filloi të protestojë para Parlamentit Suedez, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj autoriteteve të atjeshme për të marrë masat e nevojshme për të luftuar ndryshimet klimatike.

Që atëherë, ajo ka drejtuar shumë protesta të mëdha kundër ndryshimeve klimatike. Revista “Time” e shpalli atë Personin e Vitit, dhe ajo gjithashtu ishte kandidate për Çmimin Nobel për Paqe.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies