
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka deklaruar se ai do të jetë i pari që do të vaksinohet pasi vaksina ruse kundër koronavirusit të ri (COVID-19) të arrijë në vend.
“Jam i kënaqur që Rusia do të jetë vendi i parë në botë që vaksinon popullsinë e saj masivisht. Do të jetë një kohë kur të gjithë vaksinohemi dhe i pari që do të vaksinohet do të jem unë. Unë do të pranojë vaksinën, do të jem një shembull”, tha Maduro në një fjalim televiziv.
Maduro tha se qeveria së pari do të vaksinojë punëtorët e kujdesit shëndetësor, të moshuarit dhe ata me kushte të prekura shëndetësore.
Zyrtarët rusë kanë konfirmuar se një vaksinim masiv mund të fillojë që në muajin tetor, ndërkohë ky veprim po shkakton një alarm të gjerë në të gjithë botën sepse vaksina ende nuk ka kaluar prova klinike.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se vajza e tij tashmë ka pranuar vaksinën.
Maduro akuzoi qeverinë e presidentit amerikan, Donald Trump, se nuk lejon dërgimin e ilaçeve në Venezuelë.
“Ata po na përndjekin. Ne po blejmë ilaçe kundër koronavirusit dhe ata po i thonë kompanisë të mos i sjellë vaksinat në Venezuelë”, tha Maduro.
Ai njoftoi se Venezuela do të mbyllet në një karantinë të re 7-ditore për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Masa është pjesë e metodës 7+7 të Venezuelës, e cila përbëhet me shtatë ditë bllokim të rreptë dhe shtatë ditë aktivitet të hapur ekonomik.
Venezuela deri më tani ka konfirmuar mbi 33 mijë raste të koronavirusit dhe 281 vdekje.