
Disa shtete individuale anëtare të NATO-s mund të konsiderojnë dislokimin e trupave në Ukrainë nëse anëtarët e tjerë ose aleanca në përgjithësi nuk i ofrojnë garanci të rëndësishme sigurie Kievit, veçanërisht gjatë samitit në korrik, sipas ish-shefit të NATO-s.
“Nëse NATO nuk mund të bie dakord për një rrugë të qartë përpara për Ukrainën, ekziston një mundësi e qartë që disa vende mund të ndërmarrin veprime individuale”, tha për të përditshmen britanike “The Guardian” ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Rasmussen, i cili tani është këshilltar zyrtar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Duke vizituar kryeqytete të ndryshme evropiane dhe Washingtonin përpara samitit në Vilnius të Lituanisë, Rasmussen ka theksuar rëndësinë e sigurimit të Ukrainës me garanci të shkruara sigurie, tha e përditshmja, duke përfshirë fusha si shkëmbimi i inteligjencës, mbështetja e trajnimit, prodhimi i municionit dhe furnizimin e vazhdueshëm me armë.
Rasmussen tha se ndërsa këto garanci janë thelbësore, ato nuk duhet të lënë në hije fokusin kryesor të Ukrainës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO.
“Ne e dimë se Polonia është shumë e angazhuar në ofrimin e ndihmës konkrete për Ukrainën, si dhe nuk do ta përjashtoja mundësinë që Polonia të angazhohej edhe më fort në këtë kontekst në baza kombëtare dhe të ndiqej nga shtetet baltike, ndoshta duke përfshirë mundësinë e trupave në terren”, tha ai.
Rasmussen ishte kryeministër i Danimarkës nga viti 2001 deri në 2009 dhe sekretar i përgjithshëm i NATO-s nga 2009 deri në 2014, kur ai u pasua nga Jen Stoltenberg, shefi aktual i aleancës.