Fillimi JavaDiplomatja bullgare: Kosova e ka patjetër të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi

Diplomatja bullgare: Kosova e ka patjetër të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi

nga Shekulli Agency

Ndër prioritetet kryesore të presidencës bullgare me Bashkimin Evropian qëndron perspektiva e qartë dhe e besueshme e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Kosova do të duhet të ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si dhe të tërheqë nismën e parashtruar për shfuqizim të Gjykatës Speciale, deklaroi Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Në konferencën për mediat në të cilën ambasdadori i Bullgarisë në Kosovë, Nedialtcho Dantchev shpalosi prioritetet e vendit të tij gjatë kryesimit gjashtëmujor me Këshillin e BE-së, Apostolova tha se strategjia e zgjerimit të BE-së është në përpunim e sipër, për të shtuar se Kosova ka një mundësi të ndikojë për pozitën e saj, para se të bëhet vonë.

“Kosova duhet të shfrytëzojë këtë mundësi unike, e ka patjetër të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Kjo do të dëshmojë se Kuvendi punon për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Kjo marrëveshje duhet të ratifikohet si një çështje me interes kombëtar në mënyrë që të ndërpritet vetëizolimi i Kosovës, duke tejkaluar intereset personale të disa qarqeve politike”, tha diplomatja bullgare Apostolova.

Ajo nënvizoi se për të marrë liberalizim të vizave, Kosova ka nevojë edhe për një luftë të suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që paraqet kushtin e dytë për vendin.

Apostolova vuri theksin tek nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Përpjekja për të ndryshuar detyrimet ndërkombëtare, nuk është mënyra e mirë për të ndërtuar institucione, as për ndërtimin e besimit të njerëzve në ato institucione”, tha ajo, për shtuar se shfuqizimi i Gjykatës do të ndikojë negativisht në proceset integruese, duke e paraqitur Kosovën si një partner jo të besueshëm.

Apostolova foli edhe për dialogun me Serbinë, sepse siç tha, marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një parakusht për integrim në BE.

Ambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Dantchev, nga ana e tij tha se prioritetet e BE-së gjatë kryesimit bullgar janë stabiliteti, siguria dhe solidarizimi i BE-së për të punuar me konsensus, konkurrencë dhe kohezion brenda tij.

Bullgaria mori kryesimin me BE-në më 1 janar 2018, dhe të njëjtën më 1 korrik ia dorëzon Austrisë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies