Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov ka realizuar sot një bisedë telefonike me homologun e tij hungarez, Peter Szijjarto, lidhur me kërkesën për azil të ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski në Hungari.
Gjatë bisedës, thuhet në një njoftim të kabinetit të Dimitrovit, ministri i Maqedonisë ka theksuar se në këtë rast bëhet fjalë për një person të dënuar nga gjykata, ndaj të cilit ka edhe disa procedura tjera gjyqësore për vepra të rënda penale.
Ministri, thuhet më tej, gjatë bisedës vuri theksin te rëndësia e parimit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, i cili është një parim themelor evropian.
“Ai nënvizoi situatën paradoksale për të kërkuar azil politik në një shtet anëtar të BE-së, nga një person, gjatë qeverisjes të të cilit, vendi kandidat për anëtarësim në BE nga ana e Komisionit Evropian është karkaterizuar si një shtet i kapur”, thuhet në kumtesë.
Ministri Szijjarto nga ana e tij ka konfirmuar se Gruevski ka kërkuar azil nga autoritetet kompetente hungareze, për të shtuar se tashmë ka filluar procedura ligjore. Ai thotë se bashkëpunimi i mirë dypalësh mes vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen.