(Dështimi i Fuqive të Mëdha me Princ Wiedin)
Brenda dy muajve nën Princ Wiedin, çmimet u ngritën tetë herë gjë që shkaktoi kryengritjen kundër tij. Më 2 gusht 1914, Fuqitë e Mëdha i rekomanduan Princit të largohej për disa kohë nga Shqipëria dhe të kthehej pasi të qetësohej revolta popullore.
Duke qenë se Princi hezitonte, më 31 gusht 1914, ambasadori i Gjermanisë‚ tepër i irrituar nga pavendosmëria e Princit për tu larguar‚ i deklaroi Turhan Pashës se tashmë mbetej vetëm largimi me turp i Princit gjë që, sipas tij, e kishte merituar.
Për gjendjen e vështirë në Shqipëri, presidenti i Francës, Poincar, bënte përgjegjës Princ Wiedin ‟…që vuri elementët katolikë kundër myslimanëve e nga ana tjetër Fuqive që nuk dhanë mjete të nevojshme për të mbajtur në këmbë qeverinë”.
Sipas vëzhguesve politikë të kohës, Princi kishte bërë dy gabime të rënda: e para që kishte larguar Esadin në mënyrë të papërligjur, pa ditur se si mund ta zëvendësonte për influencën dhe njohjen e vendit që kish pasur dhe e dyta, që kishte shpërfillur elementin mysliman të Shqipërisë së Mesme, ‟… përkundër asaj çka e kishte këshilluar Italia”.
Për dështimin e Princ Wiedit, diplomati amerikan Xhorxh Fred Williams bënte përgjegjëse diplomacinë evropiane:
‟Edhe një njeri me dy pare mend do të thoshte se një popull luftarak nuk do të pranonte kaq lehtë zëvendësimin e një tiranie të vjetër me një të re, mirëpo një diplomaci pa tru bënte plane t’i impononte këtij populli një sundim arbitrar, të destinuar të dështonte”.
Gazeta ‟L’indipendante Belge” mbante qëndrim kritik ndaj Fuqive të Mëdha:
‟…Në qoftë se shqiptarët nuk duan Mbretin e zgjedhur, Fuqitë e Mëdha nuk është e mundur ta mbarojnë këtë qëllim me forcë se atëherë prishet gjendja e përgjithshme e Ballkanit….Vetëm Shqipëria është që me forcën e saj mundet të sigurojë Fronin e Mbretit. Në qoftë se nuk gjendet kjo forcë brenda në Shqipëri edhe Pushtetet e Mëdha nuk mundin të japin një ndihmë të dobishme…Mbreti Wied ishte i pari dhe i vetmi Mbret që Evropa i vuri kurorën pa u këshilluar me popullin shqiptar”.
Princ Wiedi u largua nga Shqipëria në bordin e një anijeje lufte italiane dhe siç shkruante një oficer italian, ‟… i papërcjellë nga askush dhe pa i ardhur keq askujt”.
Për më tepër, në: Xhafer Sadiku, “Shqipëria 1878-1928; Roli i elitës politike”.
