Nuri Seferi dhe Firat Arslan zhvillojne matjet zyrtare

seferi-67877Nuri Seferi dhe Firat Arslan zhvilluan matjet zyrtare në Goppinger të Gjermanisë, përpara duelit të kësaj të shtune, i vlefshëm për titullin europian WBO në boks në peshën “cruiser”. “Tajsoni shqiptar”, ish-kampion i këtij brezi, ka avantazhin se është 6 vjet më i ri se rivali i tij Arslan, që edhe në moshën 45-vjeçare vazhdon të duelojë në ring.

Përpara sfidës në “EWS Arena”, boksierët u vendosën përballë njëri-tjetrit, duke konfirmuar se të dy janë të gatshëm për duelin, ndërsa në konferencën për shtyp nuk mungoi shfaqja e respektit reciprok. Nuri Seferi deklaroi se ka “mjaft respekt për Firat Arslan, i cili është një makineri beteje”. Megjithatë, boksieri që do të ketë mbështetjen e shumë shqiptarëve në këtë duel, theksoi se “do të provojë ta mposhtë”.

Në anën tjetër, turko-gjermani Arslan tha se “pret një duel mjaft të vështirë dhe pretendoi gjykim të drejtë”. Më konkret trajneri i tij, Castro Nizar Issa, që i trembet “Tajsonit shqiptar” si një boksier që gjithmonë kërkon përballjen me kundërshtarin dhe nuk tërhiqet asnjëherë. Emocionet e duelit për titullin europian ndërmjet Firat Arslan dhe Nuri Seferit, të gjithë shqiptarët do ti ndjekin në Supersport 4, duke nisur prej orës 19:00. Të gjithë në mbështetje të idhullit të ringut, që me një fitore do të siguronte duelin për titullin botëror.

Shekulli Agency