Nënshkrime për kandidaturën e Mersiha Smailoviq

Nga: Alpin Ollogu

Në avokaten ligjore dhe aktivisten për të drejtat e njeriut, Mersiha Smailoviq, përfaqësohet ndër të tjerash, karakteristika e femrës muslimane intelektuale dhe e guximshme e këtyre hapësirave. Përfaqësohet jo vetëm modeli i vlefshëm i gruas muslimane nga etnia boshnjake, por një frymëzim rrugëtimi dhe për gruan muslimane shqiptare në Maqedoninë ë Veriut, e cila bart dhe prezanton veten me veshjen e hixhabit – mbulesës, si dhe frymëzim për emancipimin e gruas në përgjithësi, në vlerat e saja të vërteta intelektuale dhe fisnike.

Mersiha është fituese kundrejt gjuhës përçmuese dhe sulmuese ndaj hixhabit, frymëzuar veçanërisht nga periudha ateiste dhe komuniste, si dhe rrjedhimet e tyre. Forca antagoniste e asaj çka ajo përfaqeson, kundrejt gogolizimit të hixhabit, ashtu si në romanin e famshëm dhe me ndikim në strukturën mentale, ose të ashtuquajtur “përparimtare” e kombit, në romanin “Sikur të isha djalë”, i shkrimtarit Haki Stërmilli, që nëpërmjet personazhit të Dijes, mbulesa-hixhabi i gruas merr etiketimet dhe stereotipet përçmuese, si “çarçafi” ose “thesi i zi”, paraqitur si element prapanik, pengesë e emancipimit dhe faktor i shtypjes së gruas, e posaçërisht gruas shqiptare.

Mersiha Smailoviq si avokate ligjore dhe aktiviste e hershme dhe e zëshme e të drejtave të njeriut, mishëron qindra dhe mijëra gra në këto hapësira, të cilat kanë potencial dhe janë vlerë e padiskutueshme shoqërore, por që fatkeqësisht të penguara në një formë apo tjetër, të paguximshme sa duhet për të dëshmuar veten në këtë shoqëri paragjykuese, penguese e të vështirë për pranimin e diversitetit kulturor dhe etnik. E dëshmuar në mbrojte të refugjatëve të larguar nga vatrat e luftës,  inicuese e grave muslimane dhe fituese e iniciativës në vitin 2007, që grave dhe vajzave muslimane t’ju mundësohet fotografimi në dokumentet personale pa ju larguar mbulesa-hixhabi.

 Mersiha ka fituar betejën e saj me të keqen, arrin apo jo ti mbledh nënshkrimet e duhura për presidente, çështja tani është ta fitojmë ne të tjerët këtë betejë duke nënshkruar për Mersihën në garen për presidente. Në luftën ndaj asaj të keqe që “marksist leninisti made in china”  Dimitar Apasiev, etiketon Mersian si “vehabiste” apo “ekstremiste”, për faktin e thjeshtë se i bën reaksion para së gjithash, hixhabi i saj. 

Në një kohë kur tashmë janë siguruar nënshkrimet për kandidaturat shqiptare për president, me nëshkrimet shqiptare ndaj Mersihës, mundësisë dhe prezantimit të saj në garën presidenciale, jo vetëm që mbeshtesim nje intelektuale të dëshmuar muslimane në jetën publike, njëkohësisht krijojmë mundësia dhe bashkëpunimin me etnite që i takojnë besimit islam, në tentimin dhe krijimin e një blloku më të fortë me shqiptarët, në realizimin e interesave kombëtare, lirive dhe të drejtave tona njerëzore. Para së gjithash, zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe përtej saj, konform Kartës Ndërkombëtare  për të Drejtat e Njeriut.

Shekulli Agency