Stoltenberg: NATO synon të transformojë ndihmën për Ukrainën në një program shumëvjeçar

NATO po synon të transformojë ndihmën e saj për Ukrainën në një program shumëvjeçar, tha sot sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.

“Ukraina ka nevoja urgjente. Çdo vonesë në ofrimin e mbështetjes ka pasoja në fushën e betejës ndërsa flasim”, u tha Stoltenberg gazetarëve në prag të takimit të ministrave të jashtëm të aleancës në Bruksel.

“Ne po e transformojmë paketën gjithëpërfshirëse të ndihmës të NATO-s në një program shumëvjeçar ndihme. Po ndihmojmë Ukrainën t’u afrohet standardeve të NATO-s për gjithçka, qoftë prokurimi apo logjistika. Dhe ne po mbështesim përpjekjet reformuese të Ukrainës për ta sjellë Ukrainën gjithnjë e më afër aleancës. Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s. Është një çështje kur, jo nëse”, tha Stoltenberg.

Gazeta Politico Europe zbuloi të martën se shefi i NATO-s do të propozojë një fond pesëvjeçar prej 100 miliardë dollarësh për Ukrainën në kohën kur në Kongresin e SHBA-së ka ngecur një paketë ndihme prej 60 miliardë dollarësh.

“Nuk do të ketë asnjë finalizim në takimin sot dhe nesër, ne shpresojmë të ecim përpara drejt konsensusit dhe më pas do të kemi një marrëveshje në fuqi deri në samit (në Washington në korrik). Arsyeja pse e bëjmë këtë është situata në fushën e betejës në Ukrainë”, shtoi shefi i NATO-s.

Ai theksoi rëndësinë e një kornize që siguron parashikueshmërinë e mbështetjes “për një kohë të gjatë”.

“Pra, përsëri, nuk do të hyj në detaje”, tha ai më tej.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e partnerëve të Indo-Paqësorit, duke përfshirë Australinë, Zelandën e Re, Japoninë dhe Korenë e Jugut.

“Ne e dimë se siguria jonë nuk është rajonale – ajo është globale. Lufta në Ukrainë e ilustron këtë qartë”, tha Stoltenberg.

“Miqtë e Rusisë në Azi janë jetikë për vazhdimin e luftës së saj të agresionit”, tha ai, duke vënë në dukje se Kina, Koreja e Veriut dhe Irani po mbështesnin Rusinë në aspektin e ekonomisë, armëve dhe municioneve dhe kanë marrë favore të tjera në këmbim.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s po mbajnë një takim dyditor në Bruksel për të diskutuar situatën në Ukrainë, mënyrat për të mbështetur Kievin dhe zhvillimet në rajonin e Indo-Paqësorit.

Shekulli Agency